Petkov uroi Kovaçevskin, nesër vjen në Shkup

Petkov uroi Kovaçevskin, nesër vjen në Shkup

Gazetar: Lluka Andreev

Kryeministri bullgar Kiril Petkov pret rezultate të shpejta me qasjen e re në bisedimet me Shkupin. Ai në intervistë për emisionin “360 Gradë” në Alsat, shtoi se ka ardhur koha që Shkupi dhe Sofja t’i zgjidhin çështjet e hapura së bashku pa ndërmjetës.

Petkov, duke theksuar se ka zgjidhje për çdo problem, përsëriti se një nga temat më të rëndësishme është të drejtat e bullgarëve të Maqedonisë, shkruan Alsat.

“Ne përpiqemi të jemi të sigurt, dhe mendoj se kjo është mirë edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Bullgarinë, që të gjitha të drejtat e bullgarëve në Maqedoni, si dhe grupeve tjera, të jenë në të njëjtin nivel dhe atë në kuadër të ligjit”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.

Petkov sot e ka uruar Dimitar Kovaçevskin për zgjedhjen e tij, duke theksuar se nesër pret dialog konstruktiv. Kovaçevski në ditën e parë të detyrës përsëriti se është optimist racional për zgjidhje. I pyetur për deklaratën e Petkovit këtë fundjavë se nuk ka pakicë maqedonase në Bullgari, Kovaçevski u përgjigj:

“Ne jemi gjithashtu shtet që kemi thënë lidhur me gjithë fqinjët se nuk do të përzihemi në punët e tyre të brendshme. Ne kemi rregullim më ndryshe nga Republika e Bullgarisë. Të drejtat kolektive te ta sigurohen individualisht, ndërsa te ne duke pas parasysh karakterin multietnik të vendit tonë, të drejtat kolektive realizohen kolektivisht”, u shpreh Kovaçevski.

Kovaçevski shpreson se temat që do të diskutojë me Petkovin, siç është ekonomia, infrastruktura dhe arsimi, do t’i tejkalojnë çështjet historike. Ndryshe, për momentin as Shkupi e as Sofja nuk flasin për ndonjë afat për zgjidhje.

“Nuk mendoj se është e dobishme për qytetarët apo për procesin të përmenden afate kohore, sepse nuk na ka sjellë sukses deri më tani, por nuk do të thotë se nuk duhet të ketë dinamikë të funksionimit”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Si zëvendëskryeministër i ri për çështje evropiane, Mariçiq sot mirëpriti ministren gjermane për Evropën, Ana Lirman, si mysafire të parë. Berlini zyrtar do të donte negociatat mes Maqedonisë dhe BE-së të fillojnë sa më shpejt.

“Për ne mbetet e rëndësishme që çështjet dypalëshe të zgjidhen në mënyrë dypalëshe, pavarësisht nga procesi i anëtarësimit në BE”, tha Ana Lirman- ministre gjermane për Evropë.

Sipas njofton Qeveria edhe ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Mari Bërns, sot është takuar me Kovaçevskin. Ajo tha se Uashingtoni është i interesuar që vendi të vazhdojë projektet që do të mundësojnë pavarësinë energjetike dhe përparim në integrimin evropian./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button