Petkovi vjen në Shkup më 18 janar

Fatlume Dervishi

Kryeministri bullgar Kirill Petkov deklaroi se dëshiron t’i përshpejtojë bisedimet me Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, më 18 janar ai do të zhvillojë vizitën e parë në Shkup, me shumë gjasë, vetëm një ditë pasi Dimitar Kovaçevski të jetë ulur në karrigen e kryeministrit. Petkov, në intervistë për Tv Bloomberg shtoi se nuk ka afate specifike për bisedimet, por pret rezultate në gjashtë muajt e ardhshëm, shkruan Alsat.

“Kjo është arsyeja pse ne po hapim pesë grupe të reja; për infrastrukturën, ekonominë, shkëmbimet kulturore, anëtarësimin në BE dhe historinë. Shpresoj se këto nuk do të jenë vetëm takime qeveritare, dua që këto grupe të punojnë jashtëzakonisht efektivisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe të arrijnë rezultate reale. Varësisht mënyrës se si do të përparojmë në të gjitha çështjet, pres që të caktohet data përfundimtare për Maqedoninë.”- deklaroi Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Bullgaria është mbështetësi më i madh i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht i vendit vëllazëror Republikës së Maqedonisë së Veriut, deklaroi presidenti bullgar Rumen Radev, njofton MIA. Ai beson se të gjithë premtimet dhe angazhimet e Maqedonisë së Veriut për zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve do të realizohen që procesi i integrimit të përshpejtohet.

“Pres që të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura siç janë garantimi i të drejtave kushtetuese të bullgarëve të Maqedonisë së Veriut, heqja dorë nga gjuha e urrejtjes, mbyllja e procesit të debullgarizimit, ndalimi i falsifikimit të trashëgimisë kulturore dhe historike, gjëra që do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit që të mund ta hapim derën për negociata për anëtarësim të vendit.”- pohoi VRumen Radev, president i Bullgarisë.

Nga autoritetet në Shkup së fundmi nuk ka pasur qëndrime të reja rreth vizitës së Petkovit. Kjo për shkak se Qeveria aktuale është në dorëheqje dhe e ardhshmja në formim e sipër. Megjithatë shefi i diplomacisë Bujar Osmani ka deklaruar se është e rëndësishme të kthehet besimi mes dy vendeve dhe të negociohet për të gjitha çështjet e hapura në tavolinë.

LEXO EDHE:

Back to top button