Petliçkovski: Tani jemi në një zonë të sigurt, por duhet të përgatitemi për një valë të re të mundshme të virusit

Mendoj se tani jemi në një zonë shumë të sigurt dhe do të qëndrojmë këtu për të paktën disa muaj. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitemi për një valë të re të mundshme të pandemisë, tha kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski.

Ai theksoi sonte në televizionin Telma se tani jemi në një pjesë shumë më të qetë të pandemisë, por duhet të kemi kujdes sepse nuk e dimë se çfarë do të na sjellë vjeshta.

“Tani jemi në një pjesë shumë më të qetë të pandemisë. Duhet të jemi të kujdesshëm, nuk e dimë se çfarë do të na sjellë vjeshta, por mendoj se kemi disa muaj, pranverë dhe verë, që do të jenë të qëndrueshme dhe të qetë. Nga vjeshta do të bëjmë plane të reja edhe më tutje”, tha Petliçkovski.

Siç theksoi ai, ndonëse aktualisht shumë vende evropiane kanë një numër të madh të rasteve të zbuluara rishtazi, barra në sistemet e tyre shëndetësore është e vogël dhe për këtë arsye i drejtohen lehtësimit të masave.

Ai vuri në dukje se duhet kujdes, gjegjësisht të përgatitemi për një valë të re të mundshme.

Ai informoi se aktualisht në të gjitha spitalet, në të gjitha repartet infektive të vendit janë gjithsej rreth 50 pacientë  të shtruar, për dallim nga mbi 2000 sa ishin në ditët më të këqija.

Petliçkovski tha se nuk do të heqin dorë nga vaksinimi dhe shtoi se kjo duhet të sqarohet për të gjithë qytetarët.

“Të dimë se nëse vjen një valë e re, shfaqet një variant i ri, vaksinimi është rruga jonë. Nuk e përballojmë dot luksin, të identifikohemi dhe të shohim se si do të kalojmë. Ka njoftime nga kompani serioze për disa kombinime të vaksinave të reja, të cilat priten nga qershori e në vazhdim dhe do të mbulojnë disa variante të ndryshme, pra do të jenë efektive në krijimin e imunitetit ndaj varianteve të ndryshme të virusit. Tek origjinali, plus omicron dhe kjo duhet të jetë një opsion më i mirë. Ne i ndjekim risitë në treg dhe nuk heqim dorë nga vaksinimi”, tha Petliçkovski.

 

LEXO EDHE:

Back to top button