Piastri: Nuk duam të shkatërrojmë gjithçka te MekLaren për titullin personal

Gara e radhës së Botërorit të Formula 1 është ajo që zhvillohet këtë fundjavë në Spanjë, me MekLaren që konsiderohet favorite. Gjithsesi, frika më e madhe te makina britanike është beteja e brendshme mes dy pilotëve të saj, me Oskar Piastri që ka 3 pikë më shumë në renditje se Lando Norris.
“Mendoj se problemi më i madh ndoshta do të jetë zhurma e tepërt që është krijuar për këtë sfidë mes meje dhe Lando. Ndërkohë që mes meje dhe Lando nuk ka një gjë të tillë. Nuk do të bëjmë kurrë asgjë që është josportive ose që e vë skuadrën në vështirësi. Sigurisht që duam të luftojmë çdo fundjavë për fitore, por nuk do ta kalojmë kurrë atë kufi që mund të shkaktojë dëme të pariparueshme. Sepse, siç e kam thënë shumë herë, nuk duam të kemi vetëm një mundësi”, tha Oscar Piastri.
“Ne të dy do të jemi në McLaren për një kohë të gjatë dhe duam të luftojmë për kampionatin çdo vit. Dhe, unë mendoj se ne të dy e dimë se nuk është e mençur të përpiqesh të fitosh një kampionat për pilotë dhe të rrëzosh shtëpinë në këtë proces”, tha australiani.