Pilot i Formula 1, do të mbajë pishtarin olimpik në rrugën e Monako-s

Në prag të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024”, pishtari me flakën olimpike do të kalojë edhe në rrugët e Principatës së Monakos, më 18 qershor. Dhe, një nga mbajtësit e pishtarit do të jetë piloti Sharll Leklerk.

Piloti i Ferrari do të jetë një nga 4 sportistët vendës përgjegjës për ta mbajtur pishtarin përpara se t’ia kalojë princit Albert dhe gruas së tij Sharlin. Një nderim ky për pilotin monegask, që një muaj më parë fitoi garën e Montekarlo.

Pishtari me flakën olimpike ka kohë që ka mbërritur në Francë dhe është duke kryer rrugëtimin e tij në gjithë vendin e jo vetëm.

Olimpiada do të zhvillohet në Paris më datat 26 korrik-11 gusht dhe kjo është hera e tretë që kryeqyteti francez e organizon këtë veprimtari (1900 dhe 1924).

Në kalimin e tij në Monako, flaka do të mbahet nga piloti i Ferrari, Sharll Leklerk, skiatorja Aleksandra Koleti, tenisti Xiaoxin Jang dhe Rudi Rinaldi. Më në fund, Princi Albert II dhe Princesha Sharlen do të mbyllin kalimin e flakës olimpike nëpër rrugët e Principatës.

LEXO EDHE:

Back to top button