Pioli: Çellsi na dha leksion, çmimin e pagoi Juventusi

Milani ishte karikuar për të treguar se është një tjetër skuadër nga ajo që humbi 3-0 përballë Çellsit në Ligën e Kamponëve. Djemtë e Stefano Piolit mposhtën 2-0 Juventusin në “San Siro”, duke siguruar tre pikë të rëndësishme për ecurinë në kampionat dhe moralin e skuadrës.

Trajneri i “kuqezinjve” ndryshoi skemën, e zbriti ekipin me fushë me rreshtimin 4-3-2-1, ndërkohë që në prononcimin për shtypin u shfaq i lumtur, vlerësoi Brahim Diaz dhe Rafael Leaon, por nuk e kurseu një këshillë për këtë të fundit.

“Mendoj se ishte një ndeshje shumë intensive, vendosëm shumë energji në fushë. Në 20 minutat e para nuk ishim shumë të qartë teknikisht, por djemtë sakrifikuan si gjithmonë. Sigurisht që ndikoi ajo çfarë ndodhi ndaj Çellsit. Në Londër u përçamë, sot ishim më shumë skuadër.

Gabimet e kryera në Ligën e Kampionëve na frikësuan, por skuadrat harxhuan shumë energji në pjesën e parë, një gjë e tillë të çon edhe në gabime. Çellsi na dha një leksion, çmimin e të cilit e pagoi Juventusi. E kemi të qartë se nëse punojmë dhe luftojmë të bashkuar, ne e kemi kualitetin për të siguruar rezultate pozitive.

 

Leao? Hapin e madh duhet ta hedhë në fazën e lojës pa top. Ai ka cilësi fantastike, por duhet të vazhdojë të punojë fort. Ai është një futbollist i kompletuar.

 

Brahim Diaz? Jam shumë i lumtur për të, e meriton golin këtë moment. Edhe pse zgjedhjet e mia nuk e kanë kënaqur, asnjëherë nuk e ka humbur vullnetin”, deklaroi trajneri i kampionëve të Italisë.

LEXO EDHE:

Back to top button