Plagosja e të rinjve, serbët thirrje për protestë

Plagosja e të rinjve, serbët thirrje për protestë

Në Kosovë kanë vazhduar reagimet pas plagosjes së dy të rinjve serbë në komunën e Shtërpcës nga një pjesëtar i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Kryetari i Komunës së Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka bërë thirrje për dalje në protestë të dielën në ora 12:00, para Shtëpisë së Kulturës. Jevtiq tha se dy të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetë, por se sulmi ndaj tyre “është sulm ndaj secilit prej nesh”. Më 6 janar Policia e Kosovës njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të kësaj komune. Sipas njoftimit, ndaj tyre është shtënë me armë zjarri nga një i dyshuar që po qarkullonte me automjet nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Lidhur me rastin PK ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare. Ndaj incidentit në Komunën e Shtërpcës kanë reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Osmani tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. Ndërsa Kurti tha se është “thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre”.

LEXO EDHE:

Back to top button