Platini: FIFA po shkon drejt autokracisë
Platini: FIFA po shkon drejt autokracisë
Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka deklaruar se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është shndërruar në një figurë autokratike dhe se lidershipi i tij e ka bërë FIFA-n më pak demokratike. Në një intervistë për The Guardian, Platini ka vlerësuar se Infantino ishte efikas si numër dy në UEFA, por jo i përshtatshëm për rolin udhëheqës që mban sot.
Platini thekson se Infantino është shumë i prirur drejt njerëzve të pasur dhe të fuqishëm dhe se kjo prirje është thelluar sidomos pas pandemisë. Ai shton se stili i drejtimit nga lart-poshtë ka dobësuar demokracinë brenda FIFA-s, duke e krahasuar situatën aktuale si më problematike sesa në kohën e ish-presidentit Sepp Blatter.
Sipas Platinisë, administratorët aktualë të futbollit shpesh nuk kanë lidhje emocionale me lojën, duke e parë atë vetëm si një profesion. Ai ka qenë prej vitesh kritik i ashpër i Infantinos dhe rrethit të tij, duke e akuzuar për pengimin e kandidaturës së tij për president të FIFA-s përmes çështjeve ligjore të hapura në Zvicër.








