Policia italiane do të marrë syze inteligjente për kontrolle të shpejta dokumentesh

Në qytetin italian të Arezzo, oficerët e policisë do të pajisen me syze inteligjente që do t’u mundësojnë kontrollin dhe regjistrimin e shpejtë të dokumenteve.

Ndërsa projekti Google Voice nuk doli të ishte një sukses, si koncepte të tjera të ngjashme që kemi parë gjatë viteve, një kompani vazhdon të zhvillojë syze të ngjashme inteligjente – të cilat tani do të kenë përdorim të konsiderueshëm.

Kompania italiane “Labconsulence” ka zhvilluar syze inteligjente me teknologji për realitetin e shtuar, të quajtura “labglasses”, kështu që tashmë policia nga qyteti italian i Arezzo në Toskanë do të ketë mundësinë t’i testojë ato.

Duke filluar nga ky muaj, oficerët e policisë në terren do të pajisen me këto syze inteligjente si pjesë e një projekti pilot për të vlerësuar efektivitetin e tyre në situata të botës reale. Syzet inteligjente do t’u japin oficerëve të policisë mundësinë për të skanuar shpejt dokumentet ose targat e makinave, në mënyrë që oficerët të marrin informacion për njerëzit ose automjetet që ata vendosin të kontrollojnë. Në këtë mënyrë, efektivët do të mund të kontrollojnë në pak sekonda nëse dokumentet personale janë të vlefshme, nëse regjistrimi i automjetit ka skaduar, nëse automjeti është i vjedhur etj.

Penallti për 20 sekonda

Sistemi është krijuar për të përshpejtuar kontrollet e policisë dhe, nëse është e nevojshme, për të shqiptuar gjoba. Gjegjësisht, syzet do të lidhen përmes Bluetooth me një telefon celular dhe një printer të vogël celular, i cili mund të printojë menjëherë një gjobë pas skanimit të të dhënave, për shembull, për parkim të paligjshëm.

Një video promovuese e lidhur me këtë projekt tregon se si duke përdorur këto syze në më pak se 20 sekonda mund të zbulohet shkelja dhe të shqiptohet një gjobë.

“Super syzet”, siç i quajnë italianët kushtojnë rreth një mijë euro, por policia do t’i marrë falas. Aplikimi i parë i syzeve do të jetë në një zonë ku ka një shkallë më të lartë të shkeljeve dhe krimeve.

LEXO EDHE:

Back to top button