Poligraf: Ambasada ruse vazhdon sulmet me dezinformata ndaj ministrit Bujar Osmani

Ambasada ruse në vend vazhdon me sulmet dezinformuese ndaj ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Më 01.02.2023, më shumë media transmetuan reagimin e Ambasadës Ruse ndaj intervistës së Osmanit për Radion Evropa e Lirë, të publikuar më 29.01.2023, me titull: “Osmani – Rusisë i konvenon të mbajë gjallë konfliktet në Ballkan” .

Në reagimin në Facebook, Ambasada Ruse pretendon se “nuk ka bazë për pohime të tilla, e lëre më prova” dhe thekson: “Kontributi i vendit tonë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkan gjatë shumë dekadave të fundit, duke përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe në krahinën autonome serbe të Kosovës dhe Metohisë, nuk mund të mbivlerësohen. Veprojmë gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”

Mirëpo, vetë përdorimi i shprehjes “krahina autonome serbe e Kosovës dhe Metohisë” është dezinformatë. Një emërtim dhe veprim i tillë nuk është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku përdoret vetëm emërtimi “Kosovë”. Përveç kësaj, Republika e Kosovës njihet ndërkombëtarisht nga mbi 100 shtete. Prandaj, kur Rusia flet për “krahinën autonome serbe të Kosovës dhe Metohisë”, ajo nuk kontribuon në “zgjidhjen e konflikteve”.

Gjithashtu, pretendimi i Ambasadës Ruse se janë të pabaza akuzat “që përhapen në një sërë mediash për gjoja “ndërhyrje” të Rusisë në punët e brendshme të RMV”, është i pabazë. Mediat raportuan deklarata nga zyrtarë të lartë shtetërorë për “ndërhyrjen” e Rusisë në punët e brendshme të RMV, ashtu siç raportuan për deklaratat e ambasadës ruse.

Dëshmi për ndërhyrjen e Rusisë në punët e brendshme të Maqedonisë zbardhën edhe shumë ekspertë dhe hulumtues, të cilët vunë në dukje sulmet dezinformuese ruse dhe proruse nga viti 2015 e deri më sot, me qëllim të pengimit të integrimit në NATO dhe BE.

Përveç kësaj, ekspertët paraqesin prova jo vetëm për ndërhyrjen e Rusisë në punët e brendshme të Serbisë, Kosovës, Bullgarisë, Greqisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, por edhe të përpjekjeve për ndezje të tensioneve. Për shembull, verifikuesit e fakteve të EUvsDisinfo theksojnë se “Zyrtarët rusëmediat dhe kanalet e Telegramit kanë kohë që po përpiqen të ndezin tensionet rreth Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

Dëshmi për ndezjen e tensioneve janë edhe komentet nën postimin e Ambasadës Ruse, në të cilat nxitet jotolerancë dhe urrejtje ndaj Osmanit dhe shqiptarëve dhe nxitet konflikt ndëretnik.

Të gjitha këto argumente tregojnë se me sulmet dezinformuese kundër Osmanit, Rusia po përpiqet të nxisë përçarje, jotolerancë ndëretnike dhe mosbesim ndaj institucioneve të vendit, siç është Ministria e Punëve të Jashtme.

LEXO EDHE:

Back to top button