“Poligraf”: Dezinformatë është se Furkan Saliu nuk është gazetar sipas Agjencisë për Media

“Poligraf”: Dezinformatë është se Furkan Saliu nuk është gazetar sipas Agjencisë për Media

Pas arrestimit të gazetarit Furkan Saliu, ai u bë shënjestër e të pavërtetave dhe dezinformatave të shumta, si në rrjetet sociale, ashtu edhe në media.

Për shembull, në emisionin “Vetëm e vërteta” më 8 prill 2024 në TV Kanal 5, i ftuari Dragan Pavlloviq Llatas pohonte se Furkan Saliu nuk është gazetar.

“Nëse i shikoni faktet, që janë më të rëndësishmet në thelb, domethënë, së pari, Furkan Aliu nuk është gazetar… Saliu gjegjësisht, nuk është gazetar… Po flasim sipas Ligjit për media në fuqi, gjegjësisht Agjencisë për Media…”, tha ai në emision.

Mirëpo, pretendimi se Furkan Saliu nuk është gazetar sipas Agjencisë për Media nuk është i saktë. Agjencia për Media dhe Shërbime Mediatike Audiovizuele, e cila sipas Ligjit për Media është organi rregullator kompetent, më 7 prill 2024 ka lëshuar kumtesë, duke e cilësuar Saliun si “gazetar”. Agjencia ka reaguar edhe më parë, për sulmin fizik nga ana e një përmbarueseje “ndaj gazetarit Furkan Saliu nga PortalX”.

Se Saliu është gazetar vërtetojnë edhe reagimet e më shumë shoqatave dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare të mediave dhe gazetarëve. Për arrestimin reaguan Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias, si dhe Instituti për Media dhe Analitikë. Për arrestimin e “themeluesit dhe gazetarit” të PortalX reagoi edhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.

Prandaj, pohimi i Dragan Pavlloviq Llatasit se Furkan Saliu nuk është gazetar “sipas ligjit për media në fuqi, gjegjësisht Agjencisë për Media…” është i pavërtetë dhe mund të vlerësohet si dezinformatë.

LEXO EDHE:

Back to top button