Politikani Ljupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanjës
Politikani Ljupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanjës

Gazetar: Lluka Andreev
Ljupço Palevski – Palço është organizatori dhe autori kryesor i dyshuar i dy vrasjeve të tmerrshme – 14-vjeçarjes Vanja Gjurçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi. Këto janë gjetjet fillestare të policisë dhe prokurorisë, pasi tre bashkëautorët e mundshëm të Palevskit në rrëmbim, pranuan fajin. I dyshuari i pestë është babai i vajzës, i cili dyshohet se i ka dhënë informacione Palevskit për lëvizjen e vajzës së tij. Por, ai mohoi përfshirjen. Vrasjet dhe rrëmbimet e tmerrshme ndodhën për shkak të parave. Detaje shqetësuese nga mëngjesi i 27 nëntorit, kur vajza është nisur për në shkollë, ndau sot ministri i brendshëm Oliver Spasovski. Ai i quajti autorët monstra dhe banditë.
“Në hyrje të ndërtesës, e marrin dhe e fusin praktikisht me duar dhe këmbë të lidhura në një thes fjetjeje, dhe e nxjerrin dhe e fusin në bagazh të automjetit”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Prokuroria po punon për të zbuluar se pse ka ndodhur vrasja, kur plani fillestar ishte vetëm zhvatja e parave përmes rrëmbimit.
“Njoftimet e tyre në atë drejtim janë se ata kishin një lloj paniku, sepse publiku tashmë ishte plotësisht i angazhuar në kërkim të fëmijës në atë moment, dhe njëri prej tyre ka vendosur në atë moment se do ti kërkonin paratë më vonë, pasi të kishte kaluar e gjithë situata, dhe për këtë arsye vendos në atë moment ta likuidojë atë”, theksoi Gavril Bubevski – Prokuroria Publike Shkup.
Ajo që i tradhtoi rrëmbyesit ishte se kur Vanja u rrëmbye, ata përdorën makinën e Pançe Zhezhovskit. Bëhet fjalë për një qytetar nga Velesi, i cili ishte raportuar i zhdukur pesë ditë më parë, më 22 nëntor. Edhe ai më vonë u gjet i vrarë.
“Me njërin nga të dyshuarit ata kishin një lloj raporti të ndërsjellë borxhi, domethënë, ai i detyrohej rreth 500 euro dikujt dhe kështu u zgjodh ndoshta si viktimë për të marrë makinën, dhe për ta kryer rrëmbimin. Kjo është ajo që ne kemi tani si disa pista, pse u bë fillimisht rrëmbimi i Pançes, vrasja e Pançes dhe automjetit të tij u mor për të përfunduar të gjithë lëvizjen kriminale”, nënvizoi Gavril Bubevski – Prokuroria Publike Shkup.
Sipas deklaratave të të treve që pranuan fajësinë, të cilat ia dhanë policisë, Palevski, bashkëpartiakët e tij nga partia “E treta”, dhe babai i vajzës synonin të ndanin paratë, që nëna e Vanjës i ka fituar pas shitjes së një banese. Prindërit e vajzës ishin të divorcuar për një periudhë të gjatë dhe nuk jetonin së bashku.
Derisa e kanë pranuar fajin, të tre bashkëkryerësit në rrëmbim e zbuluan gjithashtu vendndodhjen e saktë ku i lanë trupat. Të dy Vanja dhe Pançe, thuhet se u qëlluan në të njëjtën ditë kur u rrëmbyen, ndërsa arma nuk është gjetur ende.
Palevski, i cili është i dyshuari kryesor për të dyja vrasjet, është i pakapshëm për policinë. Ai e ka braktisur vendin, ka hyrë në Serbi, dhe më pas në Bullgari, pas së cilës i humbin gjurmët.
Prokuroria njofton se veprat e kryera të rrëmbimit dhe vrasjes, me motiv përfitim parash, dënohen me dënimin më të rëndë, me burgim të përjetshëm. Rasti është ende në parahetim. Është shqiptuar paraburgimi për tre të dyshuarit, dhe pritet që kjo të kërkohet edhe për babanë e vajzës. Sapo të ngrihen kallëzime penale, do të lëshohet një urdhër arresti ndërkombëtar për Palevskin. /Alsat.mk