Polonia merr kryesimin me BE-në, prioritet procesi i zgjerimit
Polonia merr kryesimin me BE-në, prioritet procesi i zgjerimit

Polonia ka marrë zyrtarisht sot kryesimin me BE-në. Krahas prioriteteve tjera, sikurse siguria e bllokut evropian, ruajtja e kufijve të BE-së, energjia dhe migracioni, për Poloninë do të jetë prioritet edhe zgjerimi i BE-së. Se zgjerimi do të jetë prioritet i BE-së gjatë kryesimit të Polonisë është shkruar edhe në programin e Qeverisë polake për kryesimin e saj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Polonia beson se paralelisht me hapat konkretë me vendet kandidate, në formën e hapjes apo mbylljes së kapitujve, gjatë këtyre muajve do të ketë avancim edhe në reformat e brendshme të BE-së për t’u bërë gati për të pranuar vende të reja anëtare.
“Zgjerimi është instrumenti më i mirë i mundshëm për BE-në për të forcuar dhe promovuar paqen, demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin në Evropë. Zgjerimi është, po ashtu, edhe kanali më efikas për promovimin e vlerave evropiane, me në krye demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe forcimin e stabilitetit në fqinjësinë tonë”, thuhet në Programin e Presidencës polake të BE-së.Në këtë program, Qeveria polake synon konsolidimin e procesit të reformave në vendet kandidate, ruajtjen e besueshmërisë dhe forcimin e sigurisë në Europë.
“Qëllimi i Presidencës polake është të bëjmë progres në procesin e zgjerimit, edhe në drejtim të lindjes edhe me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me angazhimin e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE, dhe në bazë të parimit të meritave individuale”, parasheh Programi i Presidencës polake të BE-së.
Polonia është një ndër vendet më aktive të BE-së në thirrjet për sanksione ndaj Rusisë dhe për ndihmë ndaj Ukrainës. Ky vend promovon edhe avancimin e Ukrainës në procesin e integrimit në BE, sikurse edhe të Moldavisë. Këto dy shtete, krahas Gjeorgjisë, u janë bashkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në procesin e zgjerimit në BE. /Alsat.mk