Presidenti Biden, në ceremoninë solemne të transferimit të 13 ushtarëve të vrarë
Presidenti Joe Biden u bë komandanti i katërt i përgjithshëm amerikan që pret me homazhe trupat e ushtarëve amerikanë të vrarë në Afganistan. Presidenti dhe Zonja e Parë Jill Biden u takuan të dielën në Delauer me familjet e 13 ushtarëve amerikanë të vrarë të enjten në sulmin e organizuar nga ISIS pranë aeroportit të Kabulit. Më pas, çifti Biden dhe zyrtarë të lartë të administratës amerikane ndoqën ceremoninë solemne të transferimit të trupave të të rënëve nga avioni ushtarak që i solli nga Kabuli.
Ushtarët e vrarë ishin nga moshat 20-31 vjeç, të ardhur nga një numër shtetesh. Një ndër to, një marins 20-vjeçar priste të bëhej baba brenda tre javësh, si dhe një 22-vjeçar, pjesëtar i marinës ushtarake në bisedën e fundit me nënën para se të vritej, kishte thënë se ishte i bindur që do të kthehej gjallë sepse “kam shokët përkrah”, siç ishte shprehur ai në bisedë.
Pesë prej tyre ishin në të 20-tat e hershme, të lindur rreth ose pak pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 që u bënë shkak për ndërhyrjen ushtarake amerikane në Afganistan.








