Presidenti i klubit shtrin për toke arbitrin, Federata pezullon kampionatin

Presidenti i skuadrës turke, Ankaragucu, bën veprimin e papërgjegjshëm dhe të dënueshëm në fushën e lojës. Faruk Koca zbriti në fushë sapo mbaroi ndeshja (1-1) mes skuadrës që ka në pronësi, Angaragucu, dhe Rizesporit.
Ai i drejtohet trupës së gjyqtarëve dhe godet direkt grusht kryesorin Umut Meler, me këtë të fundit që rrëzohet menjëherë përtokë. Një tjetër person e goditi atë në kokë gjatë kohës sa ishte i shtrirë në fushë. Reagimi i sigurimit ishte i vonshëm pasi Meler tashmë kishte pësuar një lëndim të rëndë në sy.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon momentin kur ai po transportohej në një spital lokal për të marrë trajtmanin e duhur mjekësor. Federata Turke e Futbollit ka reaguar pas aktit te dhunshem ndaj arbitrit kryesor te ndeshjes Ankaragucu-Rizespor.
“Sot ky sulm i poshtër nuk u bë vetëm kundër Halil Umut Melerit. Sot, ky sulm çnjerëzor dhe i neveritshëm u bë kundër të gjithë aktorëve të futbollit turk. Të gjithë ata që kanë vënë në shënjestër gjyqtarët dhe kanë inkurajuar krime kundër gjyqtarëve janë bashkëfajtorë në këtë krim të neveritshëm. Deklaratat e papërgjegjshme të presidentëve të klubeve, drejtuesve, trajnerëve dhe komentuesve televizivë që synojnë arbitrat i kanë hapur rrugën këtij sulmi të poshtër sot. Kushdo që sjell vazhdimisht disa ngjarje të ndodhura vite më parë sikur të ketë ndodhur sot, është përgjegjës për këtë shëmti.
Në koordinim me shtetin tonë, ndaj përgjegjësve dhe nxitësve të këtij sulmi çnjerëzor janë nisur të gjitha procedimet penale që meritojnë. Klubi përgjegjës, kryetari i klubit, drejtuesit e tij dhe të gjithë kriminelët që sulmuan Halil Umut Melerin do të dënohen në mënyrën më të rëndë.
Me vendim të Bordit Drejtues të Federatës Turke të Futbollit, ndeshjet në të gjitha ligat janë shtyrë për një kohë të pacaktuar,” thuhet mes tjerash në komunikatën e Federatës Turke të Futbollit.