Presidenti i Meksikës infektohet me koronavirus

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, njoftoi se është diagnostikuar me COVID-19 dhe ka filluar trajtimin mjekësor.

“Me keqardhje ju informoj se jam infektuar me COVID-19. Simptomat janë të lehta dhe tashmë jam në trajtim mjekësor. Si gjithmonë, jam optimist. Do t’ia dalim”, tha Obrador në llogarinë e tij në Twitter.

Presidenti meksikan tha se do të merret me çështjet ditore në pritje nga Pallati Kombëtar.

“Do të marrë pjesë në çështjet publike nga Pallati Kombëtar. Për shembull, nesër do të marr një telefonatë nga presidenti rus Vladimir Putin sepse, përveç marrëdhënieve miqësore, ekziston mundësia që ata të na dërgojnë vaksinën Sputnik V”, tha ai.

Të dielën, presidenti i Meksikës drejtoi inaugurimin e instalimit të Gardës Kombëtare në shtetin San Luis Potosi, një ngjarje publike ku ai nuk mbante maskë.

Infeksioni i tij vjen 14 ditë pasi zëdhënësi i presidencës, Jesus Ramirez Cuevas, doli pozitiv me virusin.

Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe Teknologjisë vlerëson se Meksika ka gjithsej 1.948.355 raste me koronavirus dhe 168.340 vdekje.

Që nga 23 janari, ky vend ka administruar 618.768 vaksina.

LEXO EDHE:

Back to top button