Presidenti në largim i Sri Lankës dorëzon zyrtarisht dorëheqjen

Presidenti në largim i Sri Lankës dorëzon zyrtarisht dorëheqjen

Gotabaya Rajapaksa ka dhënë dorëheqjen si president i Sri Lankës pasi u arratis në Singapor pas protestave masive në vend kundër regjimit të tij.

Kryetari i parlamentit të Sri Lankës deklaroi se dorëheqja e presidentit të vendit, Gotabaya Rajapaksa do të shpallet zyrtarisht më 15 korrik.

Rajapaksa dorëzoi dorëheqjen e tij të enjten më 14 korrik, sipas zyrës së shtypit të kryeparlamentarit Mahinda Yapa Abeywardena, duke shtuar se dorëheqja do të shpallet zyrtarisht në orën 7 të mëngjesit me orën lokale.

Protestuesit në kryeqytetin e Shri Lankës, Colombo, ranë dakord më herët të lirojnë ndërtesat qeveritare në mesin e negociatave në vazhdim me kryetarin e parlamentit të vendit.

Rajapaksa u largua nga vendi më 13 korrik pa dorëzuar dorëheqjen. Ai fillimisht udhëtoi në Maldive, e më pas në Singapor, ku thuhet se i dorëzoi letrën e dorëheqjes Komisionit të Lartë të Shri Lankës atje. Ai më pas udhëtoi për në Jeddah, në Arabinë Saudite.

Kryetari i parlamentit ka bërë thirrje që letra origjinale e dorëheqjes të dërgohet në Shri Lanka me avionin e ardhshëm të disponueshëm nga Singapori.
Tensionet në Sri Lanka mbetën të larta mes gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga qeveria. Një prani e fortë ushtarake u raportua rreth parlamentit dhe ndërtesave të tjera qeveritare.

Kryeministri Ranil Wickremesinghe, i cili po shërben si president në detyrë, i tha parlamentit se do të jepte dorëheqjen dhe i kërkoi Abeywardenas “të emërojë një kryeministër që është i pranueshëm si nga qeveria ashtu edhe nga opozita”.

Protestat masive shpërthyen gjatë fundjavës, me demonstruesit që pushtuan pallatin presidencial dhe ndërtesa të tjera zyrtare.

Protestuesit akuzojnë presidentin në largim Rajapaksa për korrupsion dhe keqmenaxhim të rëndë të ekonomisë së vendit me rreth 22 milionë banorë. Ai ka mohuar akuzat për korrupsion.

Pasi të verifikohet zyrtarisht dorëheqja e Rajapaksa, parlamenti do të mblidhet më 20 korrik për të zgjedhur një president të ri për të përfunduar mandatin e tij, i cili përfundon në 2024.
vijon

LEXO EDHE:

Back to top button