Presidenti rus Vlladimir Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm në Rusi

Presidenti rus Vlladimir Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm në Rusi

Presidenti rus, Vlladimir Putin, bëri të ditur se ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi. Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”. Gjatë fjalimit të tij, Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe pretendoi – pa ofruar asnjë provë – se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata” për “mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.

“Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t’ua kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi. Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet… për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri që do t’i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Ky nuk është një mashtrim”, deklaroi Vlladimir Putin, president i Rusisë.
.
Putin theksoi se mobilizimi i pjesshëm ushtarak do të nisë menjëherë. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se dekreti për mobilizimin e pjesshëm do të thërriste 300,000 personel shtesë për të shërbyer në fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Këshilltari i presidentit ukrainas Vollodimir Zelenski, theksoi se mobilizimi rus ishte hap i pritur dhe tregon qartë se lufta nuk po zhvillohet sipas planeve të Moskës.

“Hap absolutisht i pritur, i cili më shumë duket si tentim për ta arsyetuar dështimin personal. Është mëse e qartë se lufta nuk po zhvillohet sipas skenarëve të Rusisë dhe për këtë qëllim Putini merr vendime të tilla. Putini po tenton që t’ia hedh fajin perëndimit për nisjen e luftës së paprovokuar dhe për gjendjen e keqësuar ekonomike në Rusi”, theksoi Mihajlo Podolak, këshilltar i Zelenskit.

Sekretari britanik i Mbrojtjes pas deklaratave të Putinit theksoi se urdhërimi i mobilizimit të pjesshëm është një shenjë se pushtimi në Ukrainë po dështon. Sipas tij asnjë sasi kërcënimesh dhe propagande nuk mund ta fshehë faktin se Ukraina po e fiton këtë luftë. Kurse kryeministri çek në një postim në Twitter shprehet se mobilizimi i pjesshëm i shpallur nga Putin është një përpjekje për të përshkallëzuar më tej luftën e nisur nga Rusia dhe provë e mëtejshme se Rusia është agresori i vetëm. Kryeministri holandez, tha se urdhri i mobilizimit i Putinit është “shenjë paniku” në Kremlin, që “nuk duhet të merret si kërcënim i drejtpërdrejtë për luftë me Perëndimin”. Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt. Perëndimi ndërmori një varg sanksionesh ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button