Princesha Latifa i kërkon Britanisë të rihapë rastin e motrës së kidnapuar

Princesha Latifa, një prej vajzave të udhëheqësit të Dubait, Mohammed bin Rashid al-Maktoum, i ka shkruar një letër policisë britanike, duke kërkuar që të rinisë hetimet për kidnapimin e motrës së saj të vogël nga një rrugë në Kembrixh më 2000, raporton transmetuesi britanik BBC.

Në një letër të shkruar me dorë, të parë nga BBC, të vitit 2018, Latifa i ka kërkuar policisë që të fokusohet sërish në rastin e motrës së saj Shamsa, tani 39-vjeçare, e cila është kidnapuar në moshën 18-vjeçare, dhe nuk është parë prej atëherë në publik.

Zyra për media e Qeverisë në Dubai nuk është përgjigjur në kërkesat e mediave ndërkombëtare për koment.

Policia në Kembrixh ka konfirmuar se ka pranuar një letër, të shkruar në shkurt të vitit 2018, lidhur me rastin që është pjesë e një “rishikimi të vazhdueshëm”.

Latifa, 35-vjeçare, është edhe vetë subjekt i shqetësimit ndërkombëtar.

Në një video-mesazh të publikuar nga banjoja, dhe të siguruar nga BBC, ajo ka thënë se është duke u mbajtur e izoluar në një vilë të rrethuar.

Emiratetet e Bashkuara Arabe kanë thënë se për të janë duke u kujdesur, si familja ashtu edhe profesionistët shëndetësorë.

Gjykata Supreme në Londër pati vendosur më 2019 se sheiku Mohammed bin Rashid al Maktoum, ka rrëmbyer të dyja vajzat e veta dhe i ka mbajtur kundër dëshirës së tyre.

Javën e kaluar programi Panorama i BBC-së, ka publikuar disa video të Latifas, e cila e ka incizuar veten me një telefon që i është dhënë në fshehtësi, duke treguar se si po mbahet “peng” nga babai i saj pas tentimeve të dështuara për të ikur më 2018.

LEXO EDHE:

Back to top button