Princi Harry fiton gjyqin ndaj gazetës britanike, kompensohet me mijëra euro
Princi Harry fiton gjyqin ndaj gazetës britanike, kompensohet me mijëra euro

Princi Harry i Britanisë fitoi të premten çështjen gjyqësore kundër tabloidit britanik “Daily Mirror”, i cili duhet t’i paguajë atij 163 mijë euro si kompensim për lajmet që janë krijuar si rezultat i një sulmi kibernetik në mesazhet zanore të telefonit të princit, shkruan BBC.
Sipas gjykatës, 15 nga 33 lajmet e prodhuara nga “Daily Mirror” ishin rezultat i hakerimit në sistemin e mesazheve të djalit më të vogël të mbretit Charles III dhe proceseve të tjera të paligjshme. Për lajmet e tjera, s’pati ndonjë penalitet.
Gjykata vlerësoi se mesazhet nga telefoni i princit Harry ishin hakuar, por “jo në një masë kaq të madhe”.
Harry, i cili është në mosmarrëveshje me familjen mbretërore, dëshmoi për tetë orë për dy ditë qershorin e kaluar për këtë rast.
39-vjeçari është tejet i zemëruar me tabloidet britanike, të cilat i konsideron përgjegjëse për vdekjen e nënës së tij, princeshës Diana. Ajo u ndoq nga paparacët në Paris në vitin 1997 kur vdiq në një aksident me veturë.
Princi britanik fajëson tabloidet edhe për ngacmimet ndaj gruas së tij Meghan Markle, si dhe për marrëdhëniet e këqija që ka me familjen.
Harry akuzoi të përditshmen “Daily Mirror” për hakerim dhe mbledhje të paligjshme informacioni, veçanërisht përmes përdorimit të detektivëve privatë.
Grupi mediatik mohoi shumicën e akuzave, duke kundërshtuar në mënyrë specifike çdo hakerim të postës zanore të Harryt. Megjithatë, gazeta pranoi se kishte përdorur një detektiv privat në lidhje me një nga daljet e Harryt në klubet e natës në vitin 2004 dhe kërkoi falje.