Shkruan Arianit Shehu
Përmes një kombinimi të fatit dhe asaj që unë e konsideroj si përcaktim i Zotit, pata privilegjin e jashtëzakonshëm që për tre dekada të drejtoj programe të financuara nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Euroazi, shpesh në disa prej zonave më komplekse të konfliktit dhe tranzicionit politik në botë, duke përfshirë Revolucionin Portokalli në Ukrainë, Pranverën Arabe në Lindjen e Mesme, Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe tranzicionin politik në Siri, ndër të tjera. Këto përvoja më kanë dhënë një kuptim të rrallë dhe të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si ndërthuren demokracia, siguria, tranzicionet politike, ndikimi i huaj dhe aktorët keqdashës. E gjithë kjo përvojë më ka pajisur me një ndjeshmëri dhe aftësi të veçantë për të kuptuar se si veprojnë aktorët keqdashës, si ndërtojnë ndikimin e tyre, si shfrytëzojnë dobësitë institucionale e shoqërore dhe si përdorin dezinformimin, polarizimin, presionin politik dhe instrumente të tjera për të minuar sigurinë, demokracinë dhe stabilitetin.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar një transformim të rëndësishëm politik, institucional dhe ndërkombëtar nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Vendi ka konsoliduar fuqishëm orientimin euroatlantik, ka ndërmarrë reformën më të thellë në drejtësi, ka modernizuar administratën publike dhe ka avancuar në mënyrë të matshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në maj 2026, Bashkimi Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin themelor, që përfshin funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike, sundimin e ligjit dhe kriteret ekonomike; vetëm dy muaj më vonë, në korrik 2026, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë të negociatave: Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Këto janë etapa të verifikueshme dhe jo thjesht deklarata politike. Asnjë tranzicion demokratik nuk është linear dhe çdo reformë e thellë përballet me probleme, rezistencë, mangësi institucionale dhe kritika; por pikërisht raportet periodike të progresit dhe avancimi nga një fazë negociuese në tjetrën dëshmojnë se Shqipëria po arrin t’i adresojë gradualisht këto sfida dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me standardet politike dhe juridike të Bashkimit Evropian.
Edhe në ekonomi, ndryshimi është i matshëm. Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare pritet te rritet 18-22% në pesë vitet e ardhshme. Këto ritme janë veçanërisht domethënëse kur krahasohen me parashikimin e Bankës Botërore prej vetëm 2.8% rritje mesatare vjetore për Ballkanin Perëndimor dhe 1% per BE, që do të thotë se Shqipëria pritet të rritet dukshëm mbi mesataren rajonale dhe asaj të BE. Shqipëria vazhdon të ketë sfida reale, nga produktiviteti dhe emigracioni te forcimi i institucioneve, kapitali njerëzor dhe lufta kundër korrupsionit, por suksesi i një tranzicioni nuk matet me mungesën e problemeve por matet me aftësinë për t’i identifikuar ato, për t’i adresuar dhe për të vazhduar përpara. Në këtë kuptim, të dhënat ekonomike, raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe ritmi i procesit të integrimit evropian tregojnë se Shqipëria e sotme është më e zhvilluar, më e integruar ndërkombëtarisht dhe më pranë Bashkimit Evropian se në çdo moment tjetër të historisë së saj moderne.
Pikërisht në momentin kur Shqipëria po avancon drejt Bashkimit Evropian, po tërheq investime të mëdha dhe po forcon profilin e saj strategjik euroatlantik, duhet të shtrohet seriozisht pyetja nëse polarizimi i brendshëm po shfrytëzohet edhe nga aktorë të jashtëm, interesat e të cilëve përputhen me një Shqipëri më të dobët, më të përçarë dhe më të ngadalësuar në rrugën e saj perëndimore. Kjo nuk është thjesht një tezë politike: Parlamenti Evropian, në raportin e tij të vitit 2025 për Shqipërinë, paralajmëroi shprehimisht për “rritjen e kërcënimit nga ndikimi i huaj keqdashës dhe ndërhyrjet hibride”, duke evidentuar se narrativa të lidhura me Kremlinin synojnë të minojnë besimin tek institucionet demokratike dhe të nxisin qëndrime anti-perëndimore. Një studim i NDI-së mbi cenueshmërinë e politikës shqiptare ndaj ndërhyrjes së huaj konstaton se, megjithëse Rusia ka pak hapësirë për ndikim të drejtpërdrejtë në një shoqëri kaq pro-perëndimore, ekziston hapësirë e konsiderueshme për “ndotjen” e fshehtë të mjedisit informativ, për ushqimin e narrativave të brendshme dhe fuqizimin e aktorëve që mund të shndërrohen në pengesa politike. Edhe raportimi rajonal për dezinformimin në vitin 2024 evidentoi dhjetëra narrativa që vinin nga burime pro-serbe ose ruse, veçanërisht rreth Kosovës, Ukrainës dhe çështjeve të ndjeshme gjeopolitike.
Kronologjia e protestave të vitit 2026 e bën këtë çështje edhe më të rëndësishme për analizë. Protestat nisën më 30 maj 2026 në Zvërnec me një kauzë konkrete mjedisore kundër një projekti turistik pranë zonës së mbrojtur Vjosë–Nartë; por brenda vetëm pak ditësh kërkesat u zgjeruan nga mbrojtja e mjedisit në dorëheqjen e Kryeministrit, akuza të përgjithshme për korrupsionin, ndryshimin e modelit ekonomik dhe kundërshtimin e establishmentit politik në tërësi. Protestat u zhvendosën në Tiranë dhe u zgjeruan me shpejtësi, ndërsa më pas u përhapën edhe në qytete të tjera dhe në diasporë. Ky evolucion përputhet me modelin klasik të luftës hibride: merret një shqetësim real publik, amplifikohet në rrjete sociale, lidhet me pakënaqësi të tjera dhe përdoret për të thelluar polarizimin dhe mosbesimin ndaj institucioneve. Vetë Komisioni Evropian e përkufizon këtë mekanizëm si shfrytëzim të dobësive të një shoqërie përmes manipulimit të informacionit, sulmeve kibernetike dhe presionit politik apo ekonomik. Autoritetet shqiptare kishin mbyllur që në tetor 2024 plot 155 llogari online të operuara nga Rusia për shpërndarje dezinformimi, si dhe tetë llogari të lidhura me grupe të spiunazhit kibernetik.
Prandaj, kur një kauzë mjedisore transformohet me shpejtësi në një front ku futen njëkohësisht ekonomia, korrupsioni, legjitimiteti i institucioneve, politika e jashtme dhe së fundi çdo zhvillim apo “eufori” rreth institucioneve shqiptare të sigurisë dhe drejtësisë, është e arsyeshme të pyesim kush përfiton nga transformimi i çdo pakënaqësie në mosbesim total ndaj shtetit shqiptar dhe orientimit të tij perëndimor? Rusia e ka përdorur prej vitesh pikërisht këtë metodologji në Evropë: jo domosdoshmërisht të krijojë krizën, por ta gjejë atë, ta ushqejë, ta polarizojë dhe ta drejtojë kundër institucioneve demokratike. Bashkimi Evropian ka konstatuar se operacionet hibride ruse përfshijnë manipulim informacioni, sulme kibernetike, ndërhyrje në procese demokratike dhe përpjekje për të fragmentuar shoqëritë. Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka paralajmëruar se propaganda ruse vepron fuqishëm përmes hapësirës mediatike në Serbi dhe se Moska e përdor ndikimin e saj atje për të destabilizuar dhe ushtruar presion mbi shtetet fqinje. Kjo nuk do të thotë se çdo kritikë ndaj qeverisë është produkt i Beogradit apo Moskës; do të ishte e gabuar dhe kundërproduktive ta paraqisnim kështu. Por të injorosh mundësinë që aktorë keqdashës të shfrytëzojnë një klimë të tillë do të ishte po aq naive. Në luftën hibride, objektivi nuk është gjithmonë të bindësh qytetarin të mbështesë Rusinë apo Serbinë; shumë më shpesh objektivi është ta bindësh se asgjë nuk funksionon dhe askush nuk është i besueshëm. Pikërisht këtu qëndron rreziku i vërtetë për Shqipërinë.
Përçarja, mbjellja e mosbesimit, manipulimi i pakënaqësive të ligjshme kanë qenë gjithmonë armë më të lira se përballja e drejtpërdrejtë. Por kombi ynë ka mbijetuar pikërisht sepse, në momentet vendimtare, ka ditur ta dallojë kritikën nga manipulimi, pakënaqësinë nga instrumentalizimi dhe interesin kombëtar nga interesat e atyre që duan një Shqipëri të dobët. Ne mund të debatojmë, të kundërshtojmë dhe të kërkojmë më shumë nga institucionet tona, por nuk duhet të lejojmë kurrë që zemërimi ynë të përdoret kundër vetë të ardhmes sonë. Shqipëria ecën përpara kur shqiptarët ruajnë unitetin për çështjet themelore: orientimin perëndimor, sigurinë kombëtare, demokracinë dhe dinjitetin e shtetit shqiptar. Shqiptarët duhet të jenë vigjilentë dhe të mos bien kaq lehtë pre e skenarëve të përgatitur mirë që synojnë të shfrytëzojnë pakënaqësinë, të thellojnë përçarjen dhe të minojnë besimin te shteti. Taktikat e Rusisë, Serbisë dhe aktorëve të afërt me interesat e tyre nuk janë të reja: ato kërkojnë ta ngadalësojnë Shqipërinë, ta mbajnë të polarizuar dhe ta pengojnë progresin e saj euroatlantik. Kritika është e domosdoshme në demokraci, por po aq e domosdoshme është të dallojmë kur një pakënaqësi e ligjshme po instrumentalizohet për interesa që nuk janë tonat. Shqipëria ka ecur shumë përpara për të lejuar që të bëhet peng i skenarëve që synojnë ta kthejnë pas.
Arianit Shehu shërben si Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit me seli ne SHBA. Për 25 vite, ai ka shërbyer si Drejtor i Lartë i NDI-së për Lindjen e Mesme, Shefi Misionit në më shumë se 16 shtete, si dhe si këshilltar politik i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në kuadër të Aspen Institute dhe Atlantic Council. Z. Shehu gjithashtu ligjëron për shumë vite në Philadelphia University në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe qeverisjes së mirë.








