Prokurori Jovevski thotë se nuk do të pensionohet

Prokurori i Shtetit Lubomir Jovevski do të qëndrojë në detyrë edhe pas Vitit të Ri. Megjithëse më 3 janar të vitit të ardhshëm i mbush 67 vjet dhe e përmbush kushtin e pensionimit, ai për Alsat theksoi se Ligji për Prokurori Publike nuk parashikon që të pensionohet pas ditëlindjes së tij.

 Do të qëndroj në këtë pozitë edhe pas Vitit të Ri. Mandati im është gjashtë vjet dhe unë jam zgjedhur Prokuror Shtetëror në Kuvend. Shkarkimi eventual mund të votohet nga Kuvendi ndërsa kjo mund të ndodhë çdo ditë. Ndoshta nesër”-tha Lubomir Jovevski, prokuror Shtetëror.

Jovevski thekson se Ligji për Prokurorinë Publike saktësisht përcakton se me kushtin e përmbushur të pragut të moshës, në pension dalin prokurorët publik, por jo edhe Prokurori Shtetëror. Neni 87 i Ligjit thotë se funksioni i prokurorit publik ndërpritet nëse i plotëson kushtet për pension me të drejtë zgjatjeje në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës. Dallimi kryesor, sipas Jovevskit, është në nenin 86, i cili në mënyrë të prerë i referohet pozitës së tij.

Çështja e nevojës nëse Jovevski duhet të pensionohet ose jo, u ngrit edhe në Këshillin e Prokurorëve. Nga atje, dërguan edhe shkresë në Kuvend se Jovevski së shpejti do të përmbushë kushtet për pension. Jovevski u emërua Prokuror Shtetëror me ndryshimin e pushtetit, përkatësisht më 25 dhjetor të vitit 2017 me 61 vota në Kuvend.

LEXO EDHE:

Back to top button