Prokuroria e cilësoi “vrasje nga pakujdesia”, EULEX kërkon sqarim të plotë për vdekjen e Agon Zejnullahut

Prokuroria e cilësoi “vrasje nga pakujdesia”, EULEX kërkon sqarim të plotë për vdekjen e Agon Zejnullahut

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar sqarim të plotë dhe transparent për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë në Lipjan pas ndërhyrjes së pesë zyrtarëve policorë tashmë të arrestuar.

“Marrë parasysh fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës pas vdekjes së një personi në Lipjan, presim që autoritetet kompetente të sqarojnë plotësisht dhe në mënyrë transparente rrethanat e rastit, duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut”, deklaroi Barbano në platformën ‘X’.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka kualifikuar rastin si “vrasje nga pakujdesia”, ndërkohë që pesë zyrtarët policorë të përfshirë janë ndaluar për 48 orë dhe janë pezulluar nga detyra.

Rasti ka ngjallur reagime të shumta edhe për shkak të mungesës së transparencës institucionale.

Raporti ditor i Policisë së Kosovës, i shpërndarë për media të martën rreth orës 14:47, nuk përfshinte fare rastin e Zejnullahut, ndonëse zakonisht për raste të tilla njoftimi publikohet në orët e paradites.

Agon Zejnullahu vdiq me pranga në duar, i rrethuar nga disa policë, në rrethana ende të paqarta.

Sipas raportit paraprak mjekësor, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja, përtej gjendjes paraprake të tij shëndetësore.

Vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, ka rrëfyer se trupi i Agonit kishte shenja të shumta dhune, duke pretenduar se ai mund të ketë pësuar edhe fraktura në disa pjesë të trupit.

“Ka pasur mbi 20 shenja në trup. Vetulla ka qenë e çarë, balli me shenja dhe ka pasur goditje në qafë. Ka shenja shumë të theksuara në brinjë sa mendoj se i ka të thyera, këmbët i ka pasur me gunga. Nuk ka ndonjë pjesë të trupit që nuk ka pasë goditje”, deklaroi ai.

Ai shtoi se zyrtarët policorë që tashmë janë arrestuar, kanë qenë të pranishëm edhe në emergjencë në momentin kur familjarët arritën atje, pasi morën lajmin për vdekjen e Agonit.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërkohë që kërkesat për drejtësi dhe transparencë janë shtuar si nga opinioni publik, ashtu edhe nga misionet ndërkombëtare në vend.

LEXO EDHE:

Back to top button