Prokuroria kërkon paraburgim për Pece Mirçevskin, ish drejtorin e Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë
Prokuroria kërkon paraburgim për Pece Mirçevskin, ish drejtorin e Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë

Gazetare: Ajnur Bafqari
Gjykata e ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor për ish drejtorin e Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, Pece Mirçevski. Ai dyshohet për veprat penale “marrje ryshfeti” dhe “Përvetësim në shërbim ”. Sipas prokurorisë, Mirçevski, gjatë kohës që ishte në detyrë, në disa raste ka pranuar përfitime për veten dhe bashkëshorten e tij, për të kryer veprime që nuk duhej t’i kryente. Bëhet fjalë për 5 kontrata me një kompani për të cilën ka rezultuar se ka konflikt interesi dhe nuk është dashur t’i nënshkruajë dhe zbatojë.
“Gjatë periudhës nga 1 janari 2022 deri më 13 qershor 2024, i dyshuari drejtor ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, në total 1.792.859 denarë, duke nënshkruar kërkesa për rezervime hotelesh, bileta avioni dhe urdhëresa për udhëtime zyrtare me të dhëna të rreme. I dyshuari i dytë, si pronar dhe menaxher i një personi juridik në mënyrë të përsëritur për një periudhë trevjeçare i ka dhënë përfitime zyrtarit publik, për të kryer veprime zyrtare që nuk duhej t’i kryente, përkatësisht që të mos tërhiqej nga procedurat dhe të nënshkruante kontratat për prokurime publike”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.
Mir¬çevski dyshohet edhe për avancimin e një piloti në kapiten edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet bazë.
“Gjithashtu për të dyshuarin e parë, është iniciuar procedurë e shkurtuar për veprën penale- “Neglizhencë në ushtrimin e detyrës”. Gjatë periudhës nga 27 tetori 2023 deri më 14 qershor 2024, si drejtor i Shërbimit të Aviacionit, ai ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 3.444.625 denarë. Edhe pse ishte në dijeni që një pilot nuk plotësonte kushtet për kapiten, ai ka mundësuar pagesën e tij si kapiten”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Ndërsa për të dyshuarin e dytë, personin tjetër që ishte udhëheqës i kompanisë me të cilën Mirçevski ka bërë ujdi, prokuroria ka propozuar masa kujdesi. Ai dyshohet për dhënie të vazhduar të ryshfetit. /Alsat.mk