Prokuroria mbledh prova për thirrjet antishqiptare në Kumanovë

Prokuroria mbledh prova për thirrjet antishqiptare në Kumanovë

Gazetar: Suad Bajrami

Prokuroria po heton thirrjet raciste anti-shqiptare të mbrëmjes së 2 gushtit në sallën sportive të Kumanovës, gjatë ndeshjes kualifikuese të basketbollit mes reprezentacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Organi i akuzës, ka lëshuar urdhër për mbledhjen e video materialeve nga kamerat e sigurisë me qëllim të identifikimit të huliganëve që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes, e cila sipas Kodit Penal është e dënueshme me burg.

“Prokuroria Themelore Publike Kumanovë vepron dhe deri te SPB Kumanovë ka lëshuar më shumë urdhra dhe udhëzime për shqyrtimin e elementeve të veprës penale gjatë thirrjeve të cilat përmbajnë gjuhë të urrejtjes nga tani për tani persona të panjohur në garën e basketbollit mes reprezentacioneve të Maqedonisë dhe Rumanisë. Është lëshuar urdhër edhe për sigurimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë me qëllim të identifikimit të kryerësve eventual”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.

Sipas Kodit Penal, për thirrje të këtilla që nxisin intolerancë kombëtare, parashikohet dënim me burg.

 “Kushdo që, me anë të forcës, ngacmimit, rrezikimit të sigurisë, ekspozimit të simboleve kombëtare, etnike ose fetare në tallje, dëmtimit të objekteve të të tjerëve, përdhosjes së monumenteve, varreve ose në çfarëdo mënyre tjetër shkakton ose nxit urrejtje, përçarje ose intolerancë kombëtare, racore ose fetare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në Kodin Penal të RMV-së.

Dyshimet janë se thirrjet raciste kanë ardhur nga tifo grupi i quajtur Kumani nga Kumanova, të cilët edhe paraprakisht kanë krijuar incidente të kësaj natyre.

Ironia është se thirrjet e këtillë janë bërë në sy të kryeministrit Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve Ivan Stoilkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski e kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Pavarësisht se në rrethana të tillë, rregullat e sportit i kërkojnë që tifozëve t’i tërhiqet vërejtja dhe gjyqtari të paralajmëron anulimin e ndeshjes, duket qartë se stafit të referëve: Georgios Poursanidis nga Greqia, Yeren Yilmaz nga Turqia dhe Ventsislav Velikov nga Bullgaria nuk i është transmetuar se çfarë thirrje kanë bërë huliganët në sallë. E gjithë skena është transmetuar në kanalin zyrtarë të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit në youtube.

https://govornaomraza.mk/main Sipas të evidencës së Komitetit të Helsinkit, gjuha e urrejtjes ndër vite është prezentë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shumica e rasteve të raportimit për gjuhë të urrejtjes është për shkak të përkatësisë etnike. Harta e Maqedonisë, është e mbushur edhe me krime nga gjuha e urrejtjes https://zlostorstvaodomraza.com/. Dukshëm, shumica e krimeve kanë për bazë çështjen e përkatësisë etnike. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button