Prokuroria: Shoferi në aksidentin fatal në Shtip i alkoolizuar
Prokuroria: Shoferi në aksidentin fatal në Shtip i alkoolizuar

Gazetar: Mefail Ismaili
Prokuroria e Shtipit dhe ekipet hetuese të MPB-së kanë kryer ekspertizë në vendin e aksidentit automobilistik në autostradën Shtip-Milladinovci në të cilin e humbi jetën tre persona dhe u lënduan katër të tjerë. Sipas Prokurorisë, aksidenti ka ndodhur kur një veturë tip “Chevrolet” me targa të Shkupit, me pesë pasagjerë nga e njëjta familje të cilët ktheheshin për në Shkup pas një feste në Koçan, gjatë parakalimit është përplasur me veturën e tipit “Toyota” me targa të Koçanit në të cilën kishte dy persona.
“Në momentin e parakalimit drejtuesi i “Chevrolet” ka humbur kontrollin e mjetit dhe fillimisht ka goditur mbrojtësen e majtë, më pas ka goditur makinën që po e parakalonte. Si pasojë e përplasjes të dy veturat janë përmbysur në një kanal buzë rrugës, kur kanë humbur jetën tre persona nga vetura e Shkupit – gruaja, vajza dhe nëna e bashkëshortes së shoferit. Katër pjesëmarrësit e tjerë në aksident kanë pësuar lëndime trupore. Lëndime më të rënda janë konstatuara tek pasagjeri në veturën e Koçanit”, thonë nga Prokuroria Themelore.
Nga testet fillestare të drejtuesit të makinës “Chevrolet” rezulton prania e alkoolit por për të përcaktuar përqindjen e saktë janë marrë mostra gjaku për analiza, ndërsa pas ekzaminimit të përgjithshëm të ngjarjes, prokurori publik do të vendosë për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme, thonë se për rritjen e sigurisë në Komunikacion, do të vazhdojnë me aksionet dhe fushatat e ndryshme, sidomos gjatë verës kur shtohet fluksi i veturave nëpër rrugë.
“MPB, bashkë me Këshillin republikan për siguri në komunikacion, Agjencinë për siguri të komunikacionit dhe ministrinë e Punëve 5të Brendshme të Serbisë, zbatojmë një sërë fushatash gjatë periudhës verës, të cilat do të jenë edhe më të theksuara. MPB apelon që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion ti respektojnë rregullat dhe dispozitat, shoferët të mos vozisin të lodhur, të mos vozisin kur janë nën ndikim të alkoolit dhe të mos e tejkalojnë shpejtësinë e rekomanduar. Kur do të nisen në udhëtime më të gjata ta kontrollojnë gjendjen teknike të automjeteve, ta planifikojnë kohën e udhëtimit, të bëjnë pushime më të shpeshta jashtë automjetet dhe të konsumojnë më shumë pije joalkoolike. Vozitni të çlodhur, vozitni të sigurte!”, deklaroi Goce Andreevski, MPB.
Për momentin MPB ka aktive fushatat “Mbaj kapele sigurie”, dhe “Vendos rripin e sigurimit”. Nga MPB thonë se gjatë sezonit të verës do të kenë më shumë masa për sigurinë në komunikacion. Ndërkohë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme, vetëm në Kryeqytet policia ka regjistruar gjithsejtë 173 shkelje të rregullave të trafikut, prej tyre: 9 për tejkalim të shpejtësisë, 23 për vozitje të makinës pa patentë shoferi, 9 gjoba iu shqiptuan motoçiklistëve, 3 gjoba për vozitje të makinës në gjendje të dehur. Sipas raportit të MPB-së janë shqiptuar dhe 10 gjoba për makina teknikisht të parregullta dhe të paregjistruara, 4 për kalim në semaforë të kuq, 12 për përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe 7 të tjera për mosvënien e rripit të sigurisë. /Alsat.mk