Prokurorja Stefanova, kërkoi dënim maksimal me burg për ish kryeministrin Nikolla Gruevski
Prokurorja Stefanova, kërkoi dënim maksimal me burg për ish kryeministrin Nikolla Gruevski

Gazetar: Igor Stefanovski
Rasti “Parcelat në Vodno” po shkon drejt fundit.
Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja Lile Stefanova kërkoi konfiskimin e pasurisë. Bëhet fjalë për toka në Vodno dhe Krushevë, dy banesa në rrugën “Bihaçka” në Shkup si dhe tri banesat luksoze në “Panorama Residence”, shkruan Alsat.
Për ish kryeministrin Gruevski kërkon dënim maksimal.
“Gjykata duhet ta marrë parasysh si rrethanë rënduese se, i akuzuari gjatë gjithë kohës si kryeministër dhe kryetar i partisë politike, e cila ka qenë në pushtet për më shumë se 10 vjet, ka përdorur pozicionin e tij për të fshehur pasurinë dhe deri në fund, deri në mbarim të kësaj procedure, e ka bërë këtë”, tha Lile Stefanova, prokurore.
Sipas avokatit të Gruevskit, i cili i është caktuar sipas detyrës zyrtare, Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme kundër tij. Ai ka kërkuar që Gruevski të lirohet nga akuza.
“Nga të gjitha provat që janë paraqitur në këtë procedurë, nga prokuroria dhe mbrojtja, materiale dhe verbale, mund të konstatojmë se kemi lëndë të bazuar në shumë supozime, pista të filmuara, por jo prova serioze mbi të cilat gjykata mund të bazojë vendimin për rast kaq serioz”, u shpreh Petar Timovski, avokat i Gruevskit.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Stefanova kërkoi dënim të lartë për ish shefin e policisë sekrete, Sasho Mijalkov.
Për biznesmenët Orce Kamçev dhe Nenad Josifoviq ka kërkuar burgim në minimumin ligjor ndërsa për Risto Novaçevskin ka kërkuar dënim me kusht.
Stefanova e tërhoqi akuzën ndaj nënës së Kamçevit, Ratka Kunovska-Kamçevës pasi vepra është i vjetruar./ Alsat.mk