Pronarët e qenve kanë një rrezik 24 për qind më të ulët të vdekjes së hershme
Pronarët e qenve kanë një rrezik 24 për qind më të ulët të vdekjes së hershme

Një sondazh me afro 4 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Skandinavi, Zelandën e Re, Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar analizoi përfitimet shëndetësore për njerëzit nga mbajtja e qenve.
– Mbajtja e qenve lidhet me një ulje prej 24 për qind të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet – thotë Dr. Carolyn Kramer, asistente profesore në Departamentin e Endokrinologjisë dhe Metabolizmit në Universitetin e Torontos. Një meta-analizë tregoi përfitime edhe më të mëdha për njerëzit që tashmë i kishin mbijetuar një ataku në zemër ose goditje në tru.
– Për këta njerëz, mbajtja e një qeni ishte edhe më e dobishme. Ata kishin një rrezik 31 për qind më të ulët për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare, tha Kramer.
Një studim i veçantë i më shumë se 336,000 burrave dhe grave suedeze zbuloi se pronarët e qenve kishin rezultate më të mira shëndetësore pasi kishin përjetuar një problem të rëndësishëm kardiovaskular, si një atak në zemër ose goditje në tru. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ataku në zemër dhe goditja në tru janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë. Përfitimet ishin më të mëdha për pronarët e qenve që jetonin vetëm.
– Pjesa më interesante e këtij studimi ishte se njerëzit që jetonin vetëm në fakt përfituan më shumë, si në grupin e atakut në zemër ashtu edhe në grupin e goditjes në tru. Njerëzit që jetonin me një qen kishin vdekshmëri më të ulët se ata që jetonin pa qen, thotë Dr. Marta Gulati, kryeredaktore e Cardiosmart.org, një platformë për edukimin e pacientëve të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë.
Të mbijetuarit e sulmit në zemër, të cilët jetonin vetëm dhe kishin një qen, kishin 33 për qind rrezik më të ulët të vdekjes në krahasim me njerëzit pa qen. Ata që i mbijetuan një goditjeje në tru dhe gjithashtu jetonin vetëm kishin një rrezik 27 për qind më të ulët të vdekjes.
– Ne e dimë se vetmia dhe izolimi social janë faktorë të fortë rreziku për vdekjen e parakohshme dhe hipoteza jonë ishte se prania e një kafshë shtëpiake mund t’i zbusë këto rreziqe – thotë Tove Fall, profesor i asociuar i epidemiologjisë në Universitetin Uppsala në Suedi dhe autor i studimit.
Dy studimet e publikuara ishin vëzhguese, që do të thotë se studiuesit nuk mund të provonin se mbajtja e një qeni është një shkak i drejtpërdrejtë i rritjes së jetëgjatësisë ose rezultateve më të mira shëndetësore pas sulmit në zemër dhe goditjes në tru – vetëm një provë klinike e rastësishme mund të japë përgjigje për këto pyetje.
Shoqata Amerikane e Zemrës thekson studimet që kanë zbuluar se njerëzit që shëtisin qentë e tyre marrin deri në 30 minuta më shumë aktivitet fizik në ditë sesa ata që nuk i shëtisin qentë e tyre.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, studimet tregojnë se qentë reduktojnë stresin, nxisin relaksimin dhe ndikojnë pothuajse në çdo fazë të jetës sonë.
– Qentë ndikojnë në zhvillimin social, emocional dhe njohës te fëmijët, promovojnë një mënyrë jetese aktive dhe disa madje mund të zbulojnë konvulsione të afërta ose praninë e disa llojeve të kancerit – sipas CDC.