Propozim Deklarata e VMRO-së për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit nuk pranohet nga LSDM-ja
Propozim Deklarata e VMRO-së për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit nuk pranohet nga LSDM-ja
Gazetare: Fatlume Dervishi
LSDM-ja kërkon që VMRO-DPMNE-ja ta tërheqë propozim-Deklaratën për Goce Dellçevin të dorëzuar ditë më parë në Kuvend. Sipas partisë në pushtet, Dellçevi nuk meriton të shndërrohet në një deklaratë nënçmuese dhe ajo nuk do të bëhen pjesë e këtij procesi, shkruan Alsat.
“Deklarata është imponim politik i VMRO-DPMNE-së me qëllim që të thellohen ndarjet në mesin e popullit maqedonas. Partia e cila është kundër eurointegrimit tonë, nëpërmjet mënyrës së njohur, për të 100-ën herë e ngatërroi temën. Mbrojnë diçka që nuk është e sulmuar dhe me atë e tregojnë pasigurinë dhe amatorizmin e tyre. Pasiguria, amatorizmit dhe diletantizmi i tillë nuk do të tolerojmë të transmetohet te qytetarët. Nuk do të lejojmë të na mbajnë leksione ata që me vepra të shumta e turpërojnë figurën dhe veprën e Dellçevit”, deklaroi Jovan Mitreski, LSDM.
Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë unitet rreth mbrojtjes dhe manifestimit të figurës së veprimtarit Goce Dellçev.
“Vlerësojmë që kjo deklaratë duhet ta pasqyrojë unitetin dhe bashkimin e partive politike në Kuvendin e Maqedonisë dhe unitetin e gjithë shoqërisë maqedonase rreth veprimtarit të pakontestueshëm maqedonas dhe prijësit të çlirimit të Maqedonisë dhe idesë për shtet të pavarur, Republikës së Maqedonisë. Vetëm me unitet, respekt dinjitoz, manifestim dhe shënim të arritjeve të paraardhësve tanë nga e kaluara mundemi në mënyrë plotësuese t’i përforcojmë themelet demokratike të shtetit dhe të shoqërisë maqedonase”, tha Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE-ja, ditë më parë, në përvjetorin e 150 nga lindja e Gjorgji Nikollov Dellçevit dorëzoi në Kuvend propozim Deklaratë për figurën dhe veprën e tij. Me këtë, ata kërkojnë që, siç shkruan në Deklaratë, të afirmohet trashëgimia, roli dhe rëndësia e këtij personaliteti kyç në historinë maqedonase në realizimin e qëllimeve të epopesë kombëtare për liri dhe pavarësi. Mediat ftohen të integrojnë program për afirmimin e këtij jubileu, kurse kompania shtetërore për shërbime postare të krijojë vulë të posaçme postare. Instituti për histori kombëtare, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe Muzeu i luftës maqedonase ftohen të organizojnë ngjarje dhe projekte për shënimin e 150 vjetorit të lindjes së Dellçevit kurse Ministria e Arsimit të organizojë orë të posaçme në shkolla për figurën e tij.
Figura e Dellçevit është pika në të cilën Komisioni i përbashkët i historisë me Bullgarinë ka hasur në kundërshtime më të theksuara të cilat nuk kanë arritur t’i tejkalojnë prej muajsh. /Alsat.mk








