Propozimi i Ivan Stoilkoviqit për ministër në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive ka nxitur reagimin e Frontit Evropian

Propozimi i Ivan Stoilkoviqit për ministër në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive ka nxitur reagimin e Frontit Evropian

Gazetar: Adrian Kerimi

Propozimi i Ivan Stoilkoviqit për ministër në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive ka nxitur reagimin e Frontit Evropian duke akuzuar koalicioni VLEN se Marrëveshjen e Ohrit e kanë lënë në duart të një serbi me bindje putiniste. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka reaguar në Facebook duke e ironizuar fillimin e ndryshimit. Reagimeve i është bashkëngjitur edhe nënkryetari tjetër, Bujar Osmani.

“Marrëveshja e Ohrit për herë të parë pas vitit 2001 në dorë të një serbi me bindje putiniste! Ndryshimi sapo filloi!”, tha Arbër Ademi, Nënkryetar i BDI-së.

Ndaj akuzave të Frontit Evropian ka reaguar Izet Mexhiti. Sipas tij, BDI po manipulon përmes makinerisë propagandistike. Ai i ka kujtuar BDI-së kjo ministri kishte ekzistuar nga viti 2008, ndërsa në dorë të Stoilkoviqit nuk mbetet avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve.

“Makineria propagandistike e Artan Grubit dhe Bujar Osmanit nuk ndalet! Ata populli i dënoi me votë për shkak se në vend se të bëjnë punë, talleshin me shqiptarët dhe luanin futboll nëpër zyrat e ministrive. Nuk e merr Ivan Stoilkoviqi Ministrinë për Sistem Politik dhe as për Marrëveshjen e Ohrit! Stoilkoviqi është propozuar Ministër për Marrëdhënie ndërmjet bashkësive, ndërsa kjo Ministri që është themeluar në vitin 2008, deri vonë kishte në ingerenca mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e grupeve etnike më të vogla se 20%, pra, ingerenca në avancimin e të drejtave të turqve, serbëve, boshnjakëve, romëve dhe të tjerëve”, u shpreh Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Në vitin 2019, BDI e shndërroi Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Më 27 shkurt 2019 deputetet Artan Grubi, Zeqir Ramçilloviq, Panço Minov, Jovan Mitrevski, Xhevat Ademi, Ejup Alimi dhe Rexhail Ismaili kishin propozuar që Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të bëhet Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Në arsyetimin e ligjit ishte thënë se kjo bëhet me qëllim zbatimin më të mirë të Marrëveshjes së Ohrit. Këtë dokument, Ahmeti në disa paraqitje e kishte cilësuar Kushtetutë të Shqiptarëve.

“Vetëm të bëjmë një krahasim para dhe pas 2001 më Marrëveshjen e Ohrit. Nga 150 policë, sot ke mbi 2300 policë në strukturat e shtetit. Të bëjmë një krahasim para 2001 dhe pas Marrëveshje së Ohrit nga 70 oficerë sot kemi mbi 2000 oficerë dhe nënoficerë. Vetëm të bëjmë një krahasim para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit. Nga një administratë që ishte me 3 për qind sot e ke mbi 20 për qind dhe gjithnjë më tepër punohet që të arrihet përfaqësimi i duhur”, theksoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

23 vjet më vonë, Marrëveshja e Ohrit si udhërrëfyesi politik dhe institucional i shqiptarëve të Maqedonisë, u kthye në marrëveshje gjatë të cilës Ahmeti i kishte përfaqësuar jo vetëm shqiptarët, por edhe etnitë e tjera përfshi edhe serbët, madje kishte përfaqësuar edhe ish presidentin Boris Trajkovski.

“Unë kam përfaqësuar të gjitha komunitetet që aty nuk kanë pasur përfaqësues. Edhe komunitetin rom, turk, boshnjak, serb edhe vlleh, por kam përfaqësuar edhe presidentin Boris Trajkovski të cilit nuk ja kishin njohur dhe nuk ja kishin legalizuar besimin e tij evangjelist”, theksoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Me ndryshimet e fundit ligjore, Ministria për Marrëdhënie mes Bashkësive nuk do të ketë kompetencat e sistemit politik./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button