Propozimi i qeverisë për shkarkimin e Kocevskit ende nuk ka arritur në Këshillin e Prokurorëve
Propozimi i qeverisë për shkarkimin e Kocevskit ende nuk ka arritur në Këshillin e Prokurorëve

Gazetar: Mihaillo Donev
Propozimi i qeverisë për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Lupço Kocevski ende nuk ka arritur në Këshillin e prokurorëve publikë. Kryetarja e këshillit, megjithatë, nuk deshi të komentojë publikisht propozimin para se ta ketë në tavolinë para prokurorëve.
“Fillimisht, edhe herën e kaluar ju thashë, së pari ta marrim propozimin, të shohim konstatimet që janë në të dhe pastaj do të prononcohemi”, tha Dushica Dimitrievska, kryetare e Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Propozimi për shkarkimin e Kocevskit ende nuk ka mbërritur në Kuvend, ndërsa kryeparlamentari Gashi thotë se pasi të mbërrijë, procedurat do të vijojnë sipas rregullores së punës.
“Sa i përket shkarkimit të prokurorit publik, ju e dini se procedura duhet të fillojë me propozimin e qeverisë për shkarkim, ende nuk kemi propozim të tillë, sapo ta marrim do të njoftoheni dhe propozimin do ta paraqesim tek të gjithë deputetët dhe siç është paraparë me Rregullore do të veprojmë”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Nisma e Qeverisë për shkarkimin e Kocevskit u bë me arsyetimin se kryeprokurori ishte i njëanshëm dhe se prokuroria nën drejtimin e tij nuk ishte aspak efikase dhe të martën u miratua propozimi për shkarkimin e tij, i cili sipas ligjit duhet të dërgohet në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Pasi propozimi të dalë në këshill, prokurorët do të kenë dy javë kohë për të dhënë mendimin e tyre dhe pavarësisht nëse do të përgjigjen pozitivisht ose jo, në Kuvend do të votohet për shkarkimin e mundshëm të Kocevskit. Prokurori Publik i Shtetit shkarkohet me 61 vota “për”. /Alsat.mk