Protesta/ Gjysmë milionë italianë në rrugë, opozita marshon me sindikatat, në Torino “djegin” Melonin

Protesta/ Gjysmë milionë italianë në rrugë, opozita marshon me sindikatat, në Torino “djegin” Melonin

Gjysmë milion njerëz në rrugë, të cilët “nuk marrin urdhra”. Kjo ishte panorama e protestave të sindikatave dhe opozitës në Itali ditën e sotme. Sindikatat marshuan nga veriu në jug në ditën e grevës së përgjithshme duke kritikuar ato që i konsiderojnë politika të gabuara të Giorgia Melonit dhe ministrit Matteo Salvini.

Mijëra punonjës të sektorit publik italian morën pjesë në demonstrata, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj planit buxhetor të qeverisë. Greva, e organizuar nga sindikatat, përfshiu 43 demonstrata në të gjithë Italinë, shkruan A2.

Protestuesit dënojnë rënien e vazhdueshme të fuqisë së tyre blerëse, pagat e ulëta dhe politikat e qeverisë që ata thonë se kanë dëmtuar shërbimet publike. Ata po bëjnë gjithashtu presion për një shpërndarje më të drejtë të fitimeve të realizuara nga kompanitë private, duke kërkuar më shumë mbështetje për punëtorët.

Fotot e Melonit, Crosettos dhe Salvinit u dogjën nën brohoritje dhe thirrjet njëzëri “dorëheqje”, në marshimin e Torinos, ku pati përplasje mes forcave të policisë dhe aktivistëve.

Shenja e parë e trazirave që shpërthyen ishin hedhja e vezëve dhe bombave tymuese ndaj policisë.  “Segmenti” studentor dhe aktivistët Pro-Pal tentuan të hyjnë në stacionin Porta Nuova, duke shtyrë me forcë kordonin e policisë.

Sipas CGIL dhe UIL , mbi 20 mijë njerëz dolën në rrugë në Torino për demonstratën rajonale kundër masës buxhetore të qeverisë. Grupi i protestuesve i përbërë nga punëtorë dhe pensionistë, udhëtoi nëpër rrugët e qendrës deri në Piazza Castello, ku kishte delegatë nga sektorët e transportit, shëndetësisë, tregtisë dhe përpunimit të metaleve.

“Ne kemi vendosur të planifikojmë grevën 8-orëshe në nivel kombëtar në pesëdhjetë sheshe”, tha Vera Buonomo, sekretarja kombëtare e Uil nga skena.

“Ne kemi nevojë për politika të mira industriale, kemi nevojë për investime më të mëdha në shëndetësi që është afër kolapsit dhe duhet të zbatojmë një reformë pensionesh. Kemi kërkuar përjashtimin nga taksat për rritjen kontraktuale, sepse pagat në këtë vend janë stanjacion prej njëzet vitesh dhe për më shumë punësime në sektorin publik. Përgjigjet e Qeverisë ishin të gjitha negative, ndaj vendosëm të mobilizojmë dhe iniciativat do të vazhdojnë derisa të kemi përgjigje të caktuara. Ne duhet të luftojmë pasigurinë që vë në rrezik të ardhmen e gjeneratave të reja dhe më gjerë.”

Përpjekja për të depërtuar çoi në aksione frenimi dhe zmbrapsjeje nga policia, duke përfshirë edhe goditjet me shkopinj gome, ndërsa kreu i Lidhjes së Veriut, Mateo Salvini ka thënë se ata “nuk janë demonstrues, por kriminelë”.

“Fyerje, përplasje me policinë (gjithë solidariteti ynë shkon tek ata), foto të djegura. “Demokratët” e zakonshëm, tolerantë vetëm ndaj atyre që mendojnë si ata. E dhimbshme. Dhe përsëri, nëse, në vend që të demonstroni në mënyrë paqësore, sulmoni oficerët me uniformë dhe pushtoni shinat e hekurudhës, ju nuk jeni protestues, por kriminelë dhe kriminelët meritojnë burg”, tha Salvini.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi flet për një “klimë të rëndë” ndaj policisë, “të nxitur nga skajet ekstreme që organizohen me qëllimin e vetëm për të sulmuar ata që punojnë për të garantuar të drejtën për të shprehur idetë e tyre”.

“Dua të falënderoj edhe një herë të gjitha forcat e policisë që mundën të menaxhojnë demonstratat e shumta dhe momentet kritike me ekuilibër dhe profesionalizëm”, u shpreh ai.

LEXO EDHE:

Back to top button