Protesta kundër ligjit për lojërat e fatit, Ilievski: Ligji do të nxisë bastoret ilegale
Protesta kundër ligjit për lojërat e fatit, Ilievski: Ligji do të nxisë bastoret ilegale

Asociacioni i organizatorëve të Lojërave të Fatit dhe ai i Bastoreve të Maqedonisë kundërshtojnë ligjin për lojërat e fatit, i cili parashikon dislokimin e kazinove dhe bastoreve 500 metra larg shkollave. Ata nënvizojnë se qëllimi i këtij ligji nuk është mbrojtja e adoleshentëve, por mbyllja e kompanive legale vendore, në mënyrë që, siç thonë ata, individë të caktuar të munden përmes faqeve të reja të internetit me kompani të huaja ta marrin këtë biznes. Përfaqësuesit e këtyre dy asociacioneve thonë se mbyllja e lojërave legale të fatit, hap rrugën që të zhvillohet ekonomia gri, dhe lojërat të zhvillohen ilegalisht. Ata nënvizojnë se me mbylljen e këtyre kompanive, 10 mijë persona do të mbeten pa punë, ndërsa në mënyrë indirekte do të preken rreth 50 mijë familje. Kërkojnë nga Presidenti që nëse ligji kalon të mos e nënshkruajë, duke i rikujtuar se në këtë procedurë po keqpërdoret flamuri evropian.
“Bëhet fjalë për populizëm të pastër parazgjedhorë që duhet ta kënaq opinionin kritik, përderisa ligji përmban një sërë dispozitash të tjera që kanë për synim të realizojnë apetitet e bizneseve të dikujt. Deputetët që kanë vendosur të votojnë këto ndryshime le ta parashtrojnë pyetjen se çfarë mbrojtje mund të sigurojë distanca, kur shteti tashmë përmes katër shoqërive organizon lojëra të fatit “online”, me të cilat të rinjtë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të vazhdueshëm përmes qasjes së internetit gjithkund dhe në secilën kohë”, deklaroi Goran Stojmenov, Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit.
“Ndryshimet e parapara të ligjit do të nënkuptojnë hapje të rrugës ilegale për baste. Si shembull e marrim Shqipërinë që fillimisht e ndaloi bastet sportive, më pas ishte dëshmitare e një numri të madh të arrestimeve për shkak të basteve ilegale, që në fund prej kësaj përvoje negative, pushteti shqiptar përsëri e legalizoi bastoren sportive. Shteti me këtë lëvizje e çon mbrapa shtetin dhe e dëmton me vetëdije. Siguron hapësirë që të lulëzojë ekonomia gri”, deklaroi Vasko Ilievski, Asociacioni I Bastoreve Sportive të Maqedonisë./Alsat.mk