Protestat, Arsovska: Toka është shtetërore

Protestat, Arsovska: Toka është shtetërore

Gazetar: Ile Petrevski

Pas protestave disaditore të banorëve të Komunës së Butelit, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska thotë se nuk heqë dorë nga ndërtimi i bulevardit “Boca Ivanova”. Ky projekt, thotë ajo, është paralajmëruar gati 20 vite dhe se është në programin e saj të punës. Një pjesë e rrugës vërehet se kalon nëpër oborret e disa prej shtëpive që ndodhen pranë. Por Arsovska thotë se bëhet fjalë për pjesë që kanë qenë pronë shtetërore, të cilat qytetarët i kanë uzurpuar.

“Në një pjesë të trasesë ku do të ndërtohet ky bulevard janë dhjetëra familje që kanë zgjeruar oborret e tyre në tokën shtetërore në të cilën është planifikuar të ndërtohet bulevardi dhe në këtë mënyrë e kanë uzurpuar këtë tokë. Qyteti i Shkupit nuk ka ndërmend të ndjekë penalisht qytetarët, por dua t’u bëj thirrje banorëve të Komunës së Butelit, veçanërisht atyre që dolën të shprehin pakënaqësinë e tyre, se ne duam të ndërtojmë në tokë shtetërore. Mos u bëni viktimë e lojërave politike”, tha Danella Arsovska kryetare e komunës së Shkupit.

Alsat prej disa ditësh po monitoron situatën në terren. Qytetarët thonë se nuk do të heqin dorë nga oborret e tyre sepse i kanë legalizuar dhe jo uzurpuar siç pohon Arsovska .

“Të gjithë fqinjët i kemi të legalizuara, kemi dokument, e jona është. Atëherë kur ishte nga nji euro katrorin ta blejmë e kemi ble, të gjithë fqinjët e kanë ble. Derisa të mundemi nuk do ti lëmë, do të mundohemi me forcë”, tha një banor i lagjes Butel 1.

“Ne asgjë nuk kemi uzurpuar. Ata dëshirojnë të marrin nga oborri jonë, 5-6 metër, të bëjnë rrugë ngjitur me shtëpitë ndërsa pak më andej të ndërtojnë banesa. Ne nuk do të lejojmë, të shtetit le ta marrin ne nuk e ndalojmë por timen pse ta marrin. Më thanë do ta paguajmë, unë nuk dua të ma paguajnë, le të ma paguajnë gjithë shtëpinë dhe unë do të shkoj”, shtoi një banor tjetër.

“Personalisht ne nuk jemi të prekur, rruga nuk do të kaloj nga oborri jonë, por në shenjë solidariteti me gjithë rrugën ne dolëm në mbështetje. U japim mbështetje si fqinjë”, tha banore e lagjes Butel 1.
Sa i përket pretendimeve të kryetarit të komunës së Butelit, Darko Kostovski, se në lokacion afër bulevardit ka plan për ndërtimin e ndërtesave, Arsovska thotë se plani i detajuar që parasheh ndërtimin e shtatë objekteve e ka origjinën nga viti 2015 dhe është marrë nga këshilltarët të VMRO-DPMNE-së në komunën e Butelit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button