Protestë masive kundër Dodikut në Banja Llukë

Më shumë se 3,000 njerëz u mblodhën në Banja Llukë të shtunën për të protestuar kundër qeverisë së Republika Srpskas, e cila akuzohet për korrupsion, krim dhe nepotizëm, raporton mediumi kroat, Index.hr, transmeton Gazeta Express.

Arsyeja ishte presioni ndaj televizionit BN nga Bijeljina, të cilin anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik e akuzon si “tradhtar”.

“Mile (Dodik), ik! Mile, hajdut!” bërtitën protestuesit që u mblodhën në sheshin qendror të qytetit me ftesë të partive më të mëdha opozitare.

Presidenti i Partisë Demokratike të Progresit, Branislav Borenoviq tha se opozita “do tëa dëbojë regjimin jopopullor” vitin e ardhshëm dhe do t’i dërgojë disa prej pushtetearëve në burg.

“Ne duam ta mposhtim të keqen, regjimin dhe tiraninë dhe të tregojmë se ky mund të jetë një vend i lirë dhe normal. Asnjëherë nuk duhet t’u shkojë në mendje të mbysin njerëzit e tyre, lirinë e mediave, dhe kjo është arsyeja pse ne do t’i mposhtim dhe përmbysim ata”, tha Borenoviq.

Kryebashkiaku i Banja Llukës, Drashko Stanivukoviq njoftoi se opozita po fillon një luftë të pamëshirshme kundër shtypjes së Dodikut, duke e quajtur protestën fillimin e një “kryengritjeje kundër shtetit privat”, e cila do të vazhdojë.

Ai premtoi se në Banja Llukë, nuk do të ndodhte kurrë më që policia t’i shpërndante protestuesit me shkopinj.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button