Pse më shpesh vozisim me njërën dorë në timon?

Pse më shpesh vozisim me njërën dorë në timon?

Në të kaluarën, shoferët shpesh kritikoheshin për mbajtjen e timonit me njërën dorë dhe ndërrimin e marsheve me tjetrën. Por me ardhjen e transmisioneve automatike, sistemet multimediale në automjete dhe varësia në rritje nga telefonat inteligjentë, makinat dhe vetë zakonet e shoferit, kanë ndryshuar ndjeshëm. Shumë do të thonë më keq.

Drejtimi i makinës kërkon saktësi, kontroll dhe siguri. Një nga aspektet kryesore të drejtimit efikas dhe të sigurt është pikërisht mënyra se si e mbani timonin.

Rekomandimi ka qenë gjithmonë vendosja e akrepave për të simuluar pozicionin e akrepave në një orë: 10:10 ose 9:15. Megjithatë, përparimet teknologjike kanë bërë që këto zakone të evoluojnë.

Rrugët e rrëshqitshme dhe ngasja më e shpejtë janë vetëm disa nga faktorët që mund të komprometojnë trajtimin dhe të rrisin rrezikun e aksidenteve. Teknika e mbajtjes së timonit duhet të jetë konsistente dhe ajo fillon të mësohet në autoshkollë. Por me kalimin e kohës, shumë shoferë fitojnë zakone të këqija që rrezikojnë sigurinë e tyre dhe sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës.
 
Mbajtja e saktë e timonit do të thotë kontroll më i mirë i automjetit.

Mbajtja në mënyrë korrekte e timonit mundëson trajtim më të mirë, reagim më të shpejtë në situata emergjente dhe më pak lodhje në udhëtime më të gjata. Gjithashtu siguron kontroll më të mirë mbi automjetin, zvogëlon lodhjen në krahë dhe shpatulla dhe zvogëlon rrezikun e lëndimit në rast të hapjes së airbag-ut.

Përveç atij klasik, një pozicion tjetër i dorës po pranohet gjithnjë e më shumë: 8:20 – veçanërisht i dobishëm në udhëtimet e gjata, sepse redukton lodhjen. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se kjo zvogëlon kontrollin gjatë manovrimit emergjent.

Në praktikë, shumë drejtues mjetesh drejtojnë shpesh me njërën dorë, por ky është një zakon që duhet shmangur, sidomos në rrugët e hapura plot kthesa, por edhe kur shoferi dëshiron të ecë më shpejt. Ky zakon ul ndjeshëm kontrollin dhe rrit rrezikun e situatave të padëshiruara.

Vozitja me një dorë nuk është e re, por po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, për disa arsye. Transmisionet automatike po bëhen më të zakonshme dhe drejtuesit po bëhen më të relaksuar.
Sipas të dhënave më të fundit, rreth 70 për qind e automjeteve të shitura rishtazi në Evropë kanë transmision automatik. Kjo është për shkak të ndryshimit të preferencave të konsumatorëve, por edhe rritjes së numrit të automjeteve hibride, elektrike dhe të tjera moderne që përdorin lloje të ndryshme të transmisioneve automatike.

Fajin e kanë edhe automjetet e reja.

Sot, me mjetet e reja që nuk kanë as ndërrime klasike, shoferët po gjejnë një “argëtim” të ri: të mbajnë celularin në dorë.

Vozitja me telefon në dorë është një tjetër zakon i rrezikshëm. Përveçse nuk kemi dorën tjetër në timon, vështrimi ynë shpesh nuk drejtohet kah rruga, e cila është shkaku më i shpeshtë i aksidenteve në trafik.

Veç kësaj, makinat e reja janë pjesërisht fajtore për uljen e përqendrimit dhe zakonin e mbajtjes së njërës dorë në timon. Sistemet multimediale me ekrane më të vogla ose më të mëdha janë shpesh mënyra e vetme për të rregulluar klimën, sistemin audio, funksionin start-stop dhe kontrolle të tjera dytësore. Kjo është arsyeja pse shoferët shpesh i heqin sytë nga rruga dhe “luajnë” me ekranet me njërën dorë.

Në fund të fundit, nuk është vetëm mënyra se si e mbani dorën e rëndësishme. Pozicioni i përgjithshëm i trupit në ndenjëse është i rëndësishëm. Sedilja duhet të përshtatet plotësisht me shpinën tuaj, në një pozicion vertikal. Në këtë mënyrë duart tuaja do të jenë në pozicionin e duhur dhe ngasja do të jetë më e sigurt, sigurisht nëse nuk jeni të preokupuar me “luajtjen” në ekran.

Drejtimi i makinës kërkon disiplinë, ndërgjegjësim dhe zakone që vënë në plan të parë sigurinë dhe që fillon me të dyja duart në timon.

LEXO EDHE:

Back to top button