Pse njerëzit në vitet 1960 ishin më të dobët fizikisht se të sotmit?
Pse njerëzit në vitet 1960 ishin më të dobët fizikisht se të sotmit?

Në vitet 1960, vetëm 13% e amerikanëve përballeshin me probleme të obezitetit. Sot, kjo shifër është rritur në mënyrë alarmante, në vitin 2024, 43% e popullsisë amerikane është klasifikuar si obeze.
Nutricionistja nga Kalifornia, Autumn Bates, ka ndarë katër arsye kryesore që sipas saj shpjegojnë pse njerëzit në dekadat e mëparshme ishin më të dobët, edhe pse nuk kishin qasje në aplikacione të fitnesit, ora inteligjente apo palestra moderne.
Në të kaluarën, gatimi në shtëpi ishte normë. Vaktet ishin më të thjeshta, më të freskëta dhe me përbërës më të natyrshëm. Pjatat e zakonshme përfshinin pulë të pjekur, role me mish të grirë, patate dhe pak perime, shujta që siguronin ushqim të balancuar pa teprica kalorike.
Sot, përkundrazi, vaktet e përpunuara dhe ushqimi jashtë shtëpisë janë bërë pjesë e përditshmërisë. Studime të ndryshme, përfshirë një nga Universiteti Johns Hopkins, tregojnë se ata që gatuajnë shpesh në shtëpi konsumojnë më pak sheqer, më pak yndyrë dhe kanë kontroll më të mirë mbi përbërësit që marrin.
Një tjetër ndryshim thelbësor është përhapja masive e ushqimeve ultra të përpunuara (UPF). Këto përfshijnë çdo produkt me lista të gjata përbërësish, me aditivë artificialë dhe konservues që zgjatin afatin e ruajtjes, nga akulloret deri te ketchup-i.
Sot, vlerësohet se rreth 70% e dietës së amerikanëve përbëhet nga këto ushqime, që janë të varfra në vlera ushqyese, por të pasura me kalori dhe shumë pak ngopëse. Disa studime tregojnë se konsumimi i tyre mund të çojë në rreth 800 kalori më shumë në ditë, pa e kuptuar fare.
Në vitet ’60, shumica e njerëzve kishin punë më fizike, që i detyronin të lëviznin gjatë gjithë ditës. Ata nuk kishin nevojë për orë inteligjente për të matur hapat, sepse aktiviteti fizik ishte pjesë e natyrshme e jetës.
Sot, teknologjia ka ulur ndjeshëm nevojën për lëvizje. Shumë njerëz kalojnë ditën ulur para kompjuterëve, ndërsa automjetet dhe shërbimet online e kanë zëvendësuar ecjen dhe lëvizjen. Bates sugjeron mënyra të thjeshta për të shtuar aktivitetin ditor: ecje deri në zyrë, punë në këmbë apo përdorimi i një pistë vrapimi për ata që punojnë nga shtëpia.
Së fundmi, një tjetër faktor shpesh i nënvlerësuar është gjumi. Në vitet 1960, njerëzit flinin mesatarisht 8.5 orë në natë. Sot, kjo kohë ka rënë në rreth 7 orë, për shkak të shpërqendrimeve të shumta si telefonat, televizorët dhe laptopët.
Mungesa e gjumit ndikon direkt në rregullimin e hormoneve që kontrollojnë urinë dhe ngopjen, duke e bërë më të vështirë për trupin të ruajë një peshë të shëndetshme. Syri.net-newsbomb.gr.