PSZH e Man. Siti kërkojnë fitore në transfertë, Milani në “Signal Iduna Park”

Pas përfundimit të përballjeve të para, të raundit të dytë, të fazës së grupeve, në Ligën e Kampionëve, ku u shënuan plot 28 gola, mbrëmjen e kësaj të mërkure do të zhvillohen dhe 8 sfida të tjera. Padyshim spektakli nuk mungon, sidomos kur në fushë zbresin skuadrat e “grupit të ferrit”.

Kështu, në sfidat e grupit E, “Loc Colchoneros” të Atletiko Madridit do të presin në “Metropolitano Arena”, kampionët holandezë të Fejnordit, ku padyshim objektivi kryesor është sigurimi i 3 pikëve të para të këtij kompeticioni, me “bardhekuqtë” të pritet të përfitojnë dhe nga mungesa e “bomberit” meksikan të Fejnordit, Santiago Himenez. Në sfidën tjetër të këtij grupi, skocezët e Seltikut do të presin në “shtëpinë” e tyre, “shqiponjat” e Lacios, ku padyshim favoritët mbeten vendasit, duke llogaritur këtu dhe faktin dhe kampionët e Premiership janë të “pathyeshëm” në “Celtic Park”.

Në grupin F ose i quajtur ndryshe, “grupi i ferrit”, “kuqezinjtë” e Milanit do të udhëtojnë drejt transfertës tejet të vështirë të “Signal Iduna Park”, aty ku do të tentojnë të “thyejnë” vendasit e Borusia Dortmund, me këta të fundit, që prej 2 vitesh janë të pamposhtur në “fortesën” e tyre. Në përballjen tjetër të këtij grupi do të përplasen “milionat arabe”, me “bardhezinjtë” e Njukasëllit që presin në “St.James’s Park”, “gjigandët” francezë të Paris Sen  Zhermenit, teksa do të bëjnë gjithçka për të gjetur pikët e para të këtij grupi.

Në grupin G do të kemi një përsëritje të sfidës së raundit të 1/16-ve, të edicionit të kaluar, ku kampionët në fuqi të Man. Siti do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe në “Red Bull Arena” do të priten nga “demat” e Lajpcigut, në një përballje që si zakonisht pret një “lumë” golash, ndërsa në sfidën tjetër, kampionët e Serbisë, Crvena Zvezda do të presë në Beograd, “homologët” e Zvicrës, Jang Bojs, në një përballje, e cila pritet të përcaktojë skuadrën, që do të pozicionohet në vendin e 3-të në këtë grup.

Ndërkaq, në grupin e fundit, grupin H, “katalanasit” e Barcelona do të udhëtojnë drejt “ferrit” porutgez të “Estadio do Dragao” aty ku i presin vendasit e Porto, të cilët po ashti si Seltiku kanë rezervuar përherë surpriza në “shtëpinë” e tyre, duke shtangur jo pak “gjigandët” e Evropës. Në përballjen tjetër, belgët e Antverpit, skuadër pjesë e së cilës është dhe “legjionari”, Albion Muja do të presin në “shtëpinë” e tyre, kampionët ukrainas të Shakhtar Donjetskut.

LEXO EDHE:

Back to top button