PSZH-Milan, duel emocionues mes vëllezërve Hernandez

Do të jetë një mbrëmje vërtet e veçantë për familjen Hernandez. Lukas dhe Teo do të gjenden përballë njëri-tjetrit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, mes PSZH dhe Milanit. Kjo do të jetë hera e pare, si kundërshtarë për dy djem që luajnë së bashku në kombëtare (6 ndeshje nga viti 2021), Lukas me fanellën e PSZH-së, Teo me “kuqezinjtë”.
“Do të jetë hera e parë në Paris, e për më tepër në Ligën e Kampionëve. I shoh me krenari bashkë në kombëtaren franceze, tashmë jam e stresuar… Por, si zakonisht, dëshira ime e vetme është që të mos lëndohen”, ka deklaruar nëna e tyre në faqet e “L’Équipe”.
Shumë të afërt, thuajse të pandarë si fëmijë, ata do të gjenden ballë për ballë në “Parc des Princes”, në një përplasje thuajse vendimtare për të ardhmen evropiane të të dyja klubeve. Një ndeshje drithëruese, me shumë emocione për familjen. Siç u përmend, të dy nuk i kanë kryqëzuar kurrë rrugët si futbollistë më parë. Kur Lukas luajti për Atletiko Madridin, Teo nuk pati mundësinë ta sfidonte vëllain e tij as gjatë huazimit tek Alaves (2016-2017), as kur veshi fanellën e Real Madridit (2017-2018), as gjatë huazimit te Real Sosiedad (2018-2019). Kështu, sonte ata do t’i bashkohen listës së vëllezërve që janë përballur me njëri-tjetrin në Evropë.
Tri javë më parë ishte radha e MekAllisterëve (Aleksis për Liverpullin, Kevin për Union Sent Zhill) në Liga Europa”, ndërsa më 2017 ishte radha e Florentin dhe Poll Pogba, të cilët u përballën me njëri-tjetrin në kuadrin e ndeshjes mes Man. Junajted dhe Sent Etiene në Ligën Europa.