Publikohet Pr/Ligji për amnisti, lirohen personat me burg deri në 6 muaj

Publikohet Pr/Ligji për amnisti, lirohen personat me burg deri në 6 muaj

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministria e Drejtësisë publikoi propozim-Ligjin për Amnisti i cili për dallim nga versioni i publikuar paraprakisht dhe i dorëzuar te partitë politike, ka pësuar ndryshime përmbajtësore. Sipas propozimit, personat e dënuar deri në gjashtë muaj burg efektiv lirohen nga burgu, ndërsa personat e dënuar mbi 6 muaj, u ulet 30 për qind e masës efektive.

Propozim-Ligji për Amnisti, Neni 2
“Personat e dënuar të cilëve u është shqiptuar dënim me burg deri në gjashtë muaj, plotësisht lirohen nga vuajtja e dënimit. Personat e dënuar me burg mbi gjashtë muaj lirohen nga vuajta e 30% e dënimit”.
Propozimi nuk parashikon cilat vepra do të amnistohen, por në mënyrë taksative përcakton se për cilat vepra penale nuk do të vlen amnistia.

Propozim-Ligji për Amnisti, Neni 3
“Amnistia nuk ka të bëjë me personat të dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm: me dënim me burg të përjetshëm, për vepër penale “Vrasje”, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, për vepra penale kundër lirisë gjinore dhe moralit për vepra penale “Grabitja” dhe “Vjedhje grabitqare”, për vepra penale kundër shtetit, për veprat penale “Mashtrim në dëm të fondeve të Bashkimit Evropian”, “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”, “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353, “Të punuarit e pandërgjegjshëm, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, për vepra penale të kryera gjatë kryerjes së dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”.

Amnistia nuk i referohet as personave të cilët në kohën e kryerjes së veprave, që janë çështje e amnistisë, kanë qenë persona të zgjedhur ose të emëruar. Falja nuk do të vlej as për personat të cilët janë dënuar në mungesë. Procedura për falje shkon përmes Gjykatës e cila ka marrë vendimin e shkallës së parë, ndërsa të burgosurit në rast të vendimit negativ, kanë të drejtë ankese. Ligji për Amnisti i përfolur tashmë disa muaj ka për qëllim zbrazjen e burgjeve dhe rikthimin e kushteve humane brenda shtëpive ndëshkuese-korrektuese. VMRO-DPMNE-ja ka paralajmëruar bllokimin e propozimit në Kuvend, pavarësisht se është propozuar me procedurë të shkurtuar. Mbipopullimi i burgjeve tashmë disa vite trajtohet si çështje e raporteve ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa në raportet e Avokatit të Popullit përveç që është potencuar mungesa e kushteve, nuk është ndërmarr asgjë tjetër. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button