Punëtorët shënuan Ditën e 1 Majit me protesta, kërkuan paga më të larta

Punëtorët shënuan Ditën e 1 Majit me protesta, kërkuan paga më të larta

Protesta edhe në Kosovë. Punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritje të pagave dhe trajtim të barabartë. Protestuesit paralajmëruan edhe braktisjen nga vendi nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Në Tiranë 1 maji ka bashkuar disa shoqata në organizimin e një proteste, për të drejtat e punëtorëve. Të dhënat e Inspektoriatit të Punës tregojnë një situatë të përkeqësuar nga viti në vit. Pjesëmarrja ishte e ulët, por sipas protestuesve, kjo ndodh edhe për shkak të presionit që punëdhënësit ushtrojnë tek punëtorët e tyre.

Dita e 1 Majit në shumë vende të botës u zhvillua me protesta, festime, marshime dhe ngjarje të tjera. Në Francë protesta ishte masive. Njëjtë ishte edhe në Athinë. Në Turqi policia e pengoi një grup demonstruesish të arrinte në sheshin kryesor të Stambollit, Taksim, dhe arrestoi disa protestues.

Në Pakistan, autoritetet kanë ndaluar tubimet në disa qytete për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë. Në Korenë e Jugut, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në tubime të ndryshme, më të mëdhatë që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit 2020. Në Indonezi, pjesëmarrësit në një tubim kërkuan nga qeveria ta shfuqizojë një ligj për krijimin e vendeve të punës, nga i cili ata argumentojnë se do të përfitonin bizneset në kurriz të punëtorëve dhe mjedisit. Në Tajvan, mijëra punëtorë dolën në rrugë për të protestuar ndaj asaj që ata e quajnë papërshtatshmëri të politikave të punës të ishullit të vetëqeverisur, duke ushtruar presion mbi partinë në pushtet para zgjedhjeve presidenciale të 2024-ës.

1 Maji është një festë e themeluar në kujtim të martirizimit në sheshin “Haymarket” dhe për të përkujtuar dhe festuar Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve. Përpjekjet e punëtorëve për ditën 8-orëshe të punës në vitin 1880 treguan vendosmërinë e tyre. Më 1 maj të vitit 1886 mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste, që u zhvillua në Paris, vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të të gjithë punëtorëve të botës. Sot, pothuajse pas 134 vjetësh, 1 Maji festohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button