Punonjësit amerikanë hapin zjarr ndaj civilëve palestinezë në Gaza
Punonjësit amerikanë hapin zjarr ndaj civilëve palestinezë në Gaza

Sipas një raportimi të gazetës The Telegraph, kontraktorë të armatosur amerikanë në njërën nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, që operohet nga Fondi Humanitar i Gazës (FHG), janë filmuar duke qëlluar drejt palestinezëve përpara se të festonin.
Në një video të shpërndarë online, dëgjohen zëra në anglisht duke komentuar “më duket se e qëllova një” – ndjekur nga një tjetër që thotë “Bravo, të lumtë djalë!”.
Ngjarja ka ndodhur pranë civilëve që kërkonin ndihmë.
Sipas dëshmive të ish-punonjësve për BBC-në dhe Associated Press, punonjësit kanë përdorur municion të vërtetë, gaz lotsjellës dhe granata ndaj turmave që nuk paraqisnin kërcënim, ndërkohë që stafi i sigurisë përshkruhet si shpeshherë i pa trajnuar dhe i pandëshkueshëm.
Qendrat e ndihmës, të krijuara në hapësira të hapura larg zonave të banuara, kërkojnë që njerëzit të ecin në distanca të gjata në kushte të vështira, për të shmangur, sipas organizatorëve, kapjen e ndihmës nga Hamasi.
Pamjet filmike tregojnë qindra palestinezë që kalojnë nëpër korridore të ngushta balte nën vëzhgimin e rojeve të armatosura. Dëshmitarë kanë akuzuar edhe trupat izraelite për të shtëna vdekjeprurëse në zonë – akuza që ushtria izraelite i ka mohuar, megjithatë ka pranuar se ka përdorur të shtëna paralajmëruese.
FHG i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe i ka cilësuar si të pavërteta, duke theksuar se nuk është qëlluar asnjë civil dhe se organizata ka shpërndarë mbi 50 milionë vakte për popullatën në nevojë.