Fondi për Sigurim Shëndetësorë paralajmëron kontrolle më të rrepta mbi pushimet mjekësore. Vetëm në gusht të këtij viti, janë paguar mbi 623 milionë denarë për pushime mjekësore nga të cilat 414 milionë denarë, për pushime të lehonisë. Drejtori i Fondit, Presinski tha se pranë Bordit Drejtues do të dorëzohet propozim-ndryshimi i Rregullores për pushimet mjekësore, me të cilin, mes tjerash, parashikohet që mjekët amë të mund të lëshojnë pushim mjekësor deri në pesë ditë, në vend të shtatë ditëve sa ishte deri tani.
“Për mua dhe punonjësit e Fondit, këto nuk janë vetëm zëra brenda buxhetit, por detyrime që ne si Fond jemi të detyruar t’ua ofrojmë atyre që kanë nevojë. Por në të njëjtën kohë, duhet të jemi përgjegjës edhe për sistemin që menaxhojmë. Kur themi një shifër prej 623 milionë denarësh të paguara vetëm në bazë të pushimit mjekësor, është e qartë se duhet të kemi rregulla dhe mekanizma të përcaktuar qartë në fushën e kontrollit“, deklaroi Perinski.
Kontrollet do të bëhen me denoncim nga punëdhënësi, por edhe me përzgjedhje të rastësishme. Nëse kontrollori nuk e gjen të siguruarin në shtëpi, do t’i lihet një dokument me të cilin udhëzohet të paraqitet para komisionit mjekësor dhe të japë arsyetim. Për këtë rast do të njoftohet edhe punëdhënësi.
“Po vendosim mekanizma për kontroll të përbashkët me aktorët e tjerë brenda sistemit, si Drejtoria e të Ardhurave Publike, si Ministria e Punëve të Brendshme, me të vetmin qëllim që punonjësit brenda sektorit të kontrollit të mund t’i kryejnë kontrollet e tyre në mënyrë më të përshtatshme“, deklaroi Perinski.
Fondi në periudhën e kaluar ka konstatuar parregullsi te rreth 30 për qind e rasteve të kontrolluara të pushimeve mjekësore në Ministrinë e Brendshme, për të cilat janë shqiptuar gjoba. Në rrjedhë e sipër është edhe analiza e pushimeve mjekësore në Ministrinë e Mbrojtjes, kurse sipas Perinskit, keqpërdorime gjithnjë e më shpesh po regjistrohen edhe në sektorin privat.
Amila Rashiti








