​Putin e shtrin edhe më shumë ndikimin në Serbi, arrin mjeti më i madh propagandues rus

​Putin e shtrin edhe më shumë ndikimin në Serbi, arrin mjeti më i madh propagandues rus

Përveç televizionit shtetëror rus “Russia Today”, në Serbi po mbërrin edhe një tjetër “flamurtar” i Putinit, “Jandeks” (Yandex). Është versioni rus i “Google”, i cili është burimi kryesor i kërkimeve në internet për shumicën e rusëve dhe vlen miliarda dollarë.

Deri vetëm pak muaj më parë, Yandex u dallua si një histori suksesi biznesi në Rusi, duke u rritur nga një startup i vogël në një gjigant teknologjik që jo vetëm dominonte shërbimet e kërkimit dhe taksive në të gjithë Rusinë, por gjithashtu krenohej me një shtrirje globale në rritje.

Aplikacioni i taksive dhe Yandex ka funksionuar në qytete të largëta si Abigjan, Bregu i Fildishtë; Oslo, Norvegji; ose Tashkent, Uzbekistan; dhe kompania shpërndau gjësende në Londër, Paris dhe Tel Aviv. Pesëdhjetë robotë eksperimentalë Yandex kanë bredhur në kampusin e Universitetit Shtetëror të Ohajos në Kolumbus, duke ofruar porosi ushqimore për studentët – me plane për t’u zgjeruar në 250 universitete të tjera amerikane.

Shpesh e quajtur “kompania më e mirë në Rusi”, Yandex punësonte më shumë se 18,000 njerëz. Themeluesit e saj ishin miliarderë, dhe në kulmin e saj kompania kishte më shumë se 31 miliardë dollarë kapital.

Dhe më pas presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën.

Kur investitorët perëndimorë u larguan nga Rusia dhe qeveritë perëndimore vendosën sanksione të ashpra ekonomike, pothuajse brenda natës vlera e kompanisë ra në më pak se 7 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, bursa NASDAQ pezulloi tregtimin e aksioneve.

Ngjarjet e papritura e detyruan kompaninë të mbyllte një sërë operacionesh ndërkombëtare, duke përfshirë shërbimet e shpërndarjes në Londër, Paris dhe Kolumbus.

Mijëra punonjës – pothuajse një e gjashta e totalit – u larguan nga vendi. Themeluesi Arkady Volozh dhe zëvendësi i tij kryesor dhanë dorëheqjen pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj të dyve, duke i akuzuar ata për përhapjen e dezinformatave të Kremlinit.

Ajo që nuk bën në Perëndim, bën në Serbi

Yandex, ndonëse e ballafaquar me shumë probleme, ka kohë që planifikon të shtrihet në Serbi, e këtë e vërteton edhe fakti se në fillim të qershorit janë regjistruar zyrtarisht në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve (APR) në Serbi. Edhe pse shërbimet e taksive dhe dërgesës Yandex janë në dispozicion në Beograd dhe qytete të tjera për disa vite, kjo është hera e parë që kompania regjistrohet në Serbi.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Beogradi është bërë një destinacion popullor për emigrantët rusë, shumica e të cilëve janë profesionistë të IT.

Mes tyre janë edhe punonjës të Yandexit, të cilët privatisht u zhvendosën në Beograd menjëherë pas sulmit rus në Ukrainë.

Kompania më vonë mori me qira një “zyre të madhe në Beograd”, i tha BBC-së një burim i afërt me Yandex, i cili dëshironte të mbetej anonim. Sipas një burimi tjetër anonim, kompania mori me qira hapësirë zyre për 700 punonjës në Dorçol, në pjesën qendrore të Beogradit.

“Kur filloi lufta, punonjësve u tha se ishin të lirë të lëviznin në vende të tjera dhe se nuk kishin nevojë për miratimin e punëdhënësit për këtë”, thotë një ish-punonjës i Yandexit, i cili së fundi është larguar nga kompania.

Përveç Beogradit, që nga fillimi i luftës, kompania ka hapur një zyrë përfaqësuese në Jerevan (Armeni), ku janë shpërngulur rreth 100 punonjës, shkruan Forbes.

Çfarë është “Yandex”?

I themeluar si një motor kërkimi privat në internet përpara vetë Google, Yandex ofroi një mori shërbimesh, duke përfshirë tregtinë elektronike, hartat, transmetimin e muzikës, ruajtjen në renë kompjuterike dhe makinat vetë-drejtuese.

Investitorët e huaj e pëlqyen atë dhe për rusët ishte një “fantazmë virtuale” – një kombinim i Google, Uber, Amazon dhe Spotify u bashkua në një. Megjithatë, kompania kishte një thembër të Akilit që nuk ishte e dukshme deri në pushtimin e Ukrainës. Motori i kërkimit dhe shërbimet e tjera të Yandex bazohen, siç është rasti me Google dhe kompani të tjera teknologjike, në besimin e publikut.

LEXO EDHE:

Back to top button