Putini përballet me momentin më të rrezikshëm, ndërsa forcat ruse tërhiqen në Ukrainë

Putini përballet me momentin më të rrezikshëm, ndërsa forcat ruse tërhiqen në Ukrainë

Gjatë ditëve të fundit, Ukraina ka rimarrë kontrollin e zonave të mëdha në lindje dhe në jug të vendit nga forcat pushtuese ruse. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ndërsa Kremlini po tërheq forcat, lufta mund të jetë duke hyrë në një fazë të re jetike.

Forcat ukrainase kanë çarë vijën e forcave ruse në rajonin jugor të Khersonit dhe kanë liruar disa fshatra. Forcat ukrainase tashmë kanë vendosur nën kontroll një territor deri në 30 kilometra brenda vijës së dikurshme të frontit.

“Morali i djemve, gjithçka ka ndryshuar, krahasuar me ç’ishte më parë – është përmirësuar shumë. Ekziston dritë në fund të tunelit, të frymëzuar nga fitoret”, thotë Yaroslavi, ushtar ukrainas.

Forcat ukrainase po konsolidojnë përparimin territorial edhe në lindje. Qyteti Lyman është i shkatërruar; rrugët janë mbushur me tanke të djegura ruse dhe ushtarë të vrarë.

Gjeneralët ukrainas thonë se kanë përparuar gjatë dy javëve të fundit 55 kilometra më pranë Kharkivit.

“Kemi patur njoftime se njësitë në rajonin verior Kherson janë krejtësisht të pafuqishme, me mangësi në personel dhe me shtrirje përgjatë një vije fronti tepër të gjatë dhe mungesa ushtarësh për ta mbajtur”, thotë Karolina Hird, nga Instituti për Studimin e Luftës.

Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë 625 milionë dollarë ndihma të reja për Kievin.

“Ukraina ka nevojë për armë, për më shumë armë. Kjo pasi populli rus i toleron kriminelët e luftës, por nuk toleron kriminelët e luftës që dalin humbës. Kjo disfatë ushtarake në Ukrainë ofron shenjat e para të rënies së reputacionit të Putinit në Rusi”, thotë Oleksandra Matviichuk, nga Qendra për Liritë Civile në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi javën e kaluar aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës – një lëvizje kjo e refuzuar nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar. Analistët thonë se lufta po hyn në një moment kritik.

“Është shndërruar në një moment jetik për Putinin. Aftësia e tij për të mbijetuar mbështetet deri diku tek deklaratat e tij se ka mbrojtur atdheun dhe e ka zgjeruar atë. Se ku do të shkojë kjo situatë askush nuk e di. Por mund të themi se ky është ndoshta momenti më i rrezikshëm për zotin Putin, që kur mori pushtetin rreth 20 vite më parë”, thotë Charles Kupchan, nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë.

Presidenti Putin ka thënë se do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të mbrojtur Rusinë, duke shtuar frikën se mund të vërë në përdorim të ashtuquajturat armë taktike bërthamore.

“Gjërat po shkojnë shumë keq për Rusinë. Nuk e di edhe sa më keq duhet të bëhet përpara se Rusia të marrë në konsideratë shumë seriozisht përdorimin e armëve bërthamore. Nuk jam i sigurtë edhe nëse Putini e kupton se sa keq do të bëhet për të, nëse përdor armët bërthamore”, thotë James Acton, nga Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.

Për momentin, Rusia po përpiqet ta rimarrë avantazhin nëpërmjet forcave konvencionale. Ministria e mbrojtjes tha këtë javë se mbi 200 mijë meshkuj janë rekrutuar tashmë në forcat e armatosura që nga shpallja dy javë më parë e mobilizimit të pjesshëm.

“Këto forca nuk ka gjasa të ofrojnë ndonjë kapacitet të shtuar mbrojtës, apo sulmues, në periudhën afatshkurtër. Dhe në periudhën afatgjatë, këto forca nuk ka gjasa të stërviten mirë apo të motivohen”, thotë Karolina Hird, nga Instituti për Studimin e Luftës.

Forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë me artileri dhe raketa territorin e mbajtur nga forcat ukrainase – shpesh në zonat me civilë. Një autokolonë me civilë në qytetin Zaporizhzhia u godit më 30 shtator. Dhjetëra njerëz u vranë – ndër ta shumë gra dhe fëmijë. Moska nuk komentoi rreth këtij sulmi./voa/

LEXO EDHE:

Back to top button