Pyetet nëse do ta deportojë Muskun, Trump: Nuk e di, do ta shohim
Pyetet nëse do ta deportojë Muskun, Trump: Nuk e di, do ta shohim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se mund të shqyrtojë deportimin e Elon Musk, pasi miliarderi i lindur në Afrikën e Jugut kritikoi ashpër projektligjin e tij kryesor të shpenzimeve.
Trump tha gjithashtu se Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) – të cilin Musk e drejtoi para se të jepte dorëheqjen në fund të majit – mund ta përqendrojë vëmendjen e tij te subvencionet qeveritare të themeluesit të Tesla dhe SpaceX.
“Nuk e di. Do të duhet ta shqyrtojmë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet nëse do ta shqyrtonte deportimin e Musk.
“Ndoshta duhet ta vendosim DOGE-n te Eloni. E dini çfarë është DOGE? DOGE është përbindëshi që mund të duhet të kthehet dhe ta hajë Elonin”, shtoi presidenti amerikan.
Trump e dyfishoi kërcënimin kur tha se besonte se Musk po sulmonte të ashtuquajturin “Një Projektligj i Madh dhe i Bukur” sepse ishte i mërzitur, që ai kishte hequr masat për të mbështetur automjetet elektrike.
“Ai po e humb mandatin e tij për veturat elektrike. Është shumë i mërzitur për gjërat, por e dini, ai mund të humbë shumë më tepër se kaq, mund t’ju them tani. Eloni mund të humbë shumë më tepër se kaq”, shtoi Trump.
Ai bëri komente të ngjashme në rrjetin e tij Truth Social të hënën vonë, duke thënë se “pa subvencione, Eloni ndoshta do të duhej të mbyllte dyqanin dhe të kthehej në shtëpi në Afrikën e Jugut”.
Musk, personi më i pasur në botë, ishte donatori më i madh i Trump në zgjedhjet e vitit 2024 dhe fillimisht mbajti një prani pothuajse të vazhdueshme në krah të presidentit të sapozgjedhur.
Ata patën një debat të ashpër publik këtë muaj për projektligjin dhe miliarderi ka përsëritur kritikat e tij ditët e fundit, duke akuzuar republikanët se kanë braktisur përpjekjet për të vendosur Shtetet e Bashkuara në ballë të revolucionit të automjeteve elektrike dhe energjisë së pastër.
Musk gjithashtu ka ripërtërirë thirrjet e tij për formimin e një partie të re politike të quajtur “Partia e Amerikës”, nëse projektligji miratohet.