Pyetje deputetësh, VMRO-ja kërkoi sqarime për skandalin në Onkologji

Pyetje deputetësh, VMRO-ja kërkoi sqarime për skandalin në Onkologji

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ka kaluar një muaj që nga hyrja e institucioneve hetuese në Klinikën e Onkologjisë, andaj VMRO-DPMNE-ja kërkon të dijë se pse akoma rasti nuk është zbardhur. Në seancën për pyetjet e deputetëve në Kuvend, nga partia opozitare thonë se qytetarët me të drejtë dyshojnë se edhe ky rast do të harrohet si ai me Durmo Tursin, Besa Transin dhe spitalin modular. Opozita kërkon konfirmim nëse vërtetë terapitë e pacientëve të sëmurë me kancer nuk u janë dhënë të plota dhe se dikush ka përfituar në kurriz të pacientëve të sëmurë, duke shitur terapitë e kancerit tek shtetas të huaj.

“Pyetja kyçe, i nderuar ministër, sa qytetarë për shkak të trajtimit jo të duhur në këtë klinikë e humbën jetën e tyre? Përgjegjësi duhet të ketë, përgjegjësia duhet të ketë emër dhe mbiemër por duhet të ketë edhe përgjegjësi politike. Prandaj, i nderuar ministër, ju urgjentisht duhet të dorëzonit dorëheqje”, tha Petar Ristevski, VMRO-DPMNE.

Përgjegjësi do të ketë dhe përgjegjësit do të publikohen me emër dhe mbiemër, thotë zv/ministrja e Shëndetësisë Maja Manoleva e cila ishte në seancën e pyetjeve të deputetëve në vend të ministrit Fatmir Mexhiti.

“Procedura për Onkologjinë nuk ka përfunduar andaj nuk mund të bëjmë vlerësimin se askush nuk do të përgjigjet për këtë. Në komunikimin e përditshëm, edhe Ministra e Shëndetësisë, edhe Klinika e Onkologjisë bashkëpunojnë dhe i dorëzojnë të gjitha dokumentet e nevojshme tek Ministria e brendshme dhe te Prokuroria Publike”, u shpreh Maja Manoleva, zv/ministre e Shëndetësisë.

Një muaj më herët, institucionet hetuese bastisën Klinikën e Onkologjisë pas dyshimeve të bazuara se terapia e pacientëve me kancer është vjedhur dhe shitur ilegalisht. Dyshimet i konfirmon edhe ministri Mexhiti, sipas të cilit, zërat për keqpërdorime datojnë prej të paktën 10 vitesh. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button