Që nga Brexit-i, eksportet britanike me vlerë miliarda paund janë përballur me tarifat e BE-së

Pavarësisht se marrëveshja e rënë dakord me BE-në do të ishte pa tarifa, një studim nga Universiteti i Sussex zbuloi se deri në 3.5 miliardë paund të eksporteve britanike i ishin aplikuar taksa. Kjo përbën rreth 10% të eksporteve të mallrave britanike në BE. Kompani të ndryshme që u përballën me një situatë të tillë u shprehën se do të kërkojnë që t’i kthehet ajo vlerë parash që kanë paguar.
Në një analizë për BBC, të bërë nga Observatori i Politikës Tregtare të Universitetit të Sussex, përdorën të dhënat doganore Europiane. Shifrat treguan se midis 2.5 miliardë dhe 3.5 miliardë paund të eksporteve britanike ishin përballur me një tarifë në tre muajt e parë të 2021. Komisioni Europian konfirmoi se sipas të dhënave të mbledhura nga autoritetet e tij doganore, 2.5 miliardë euro e eksporteve të lejueshme në Mbretërinë e Bashkuar nuk përdorën marrëveshjen me tarifë zero. “Tregtia pa tarifa (e lirë) nuk mund të jetë e tillë nëse firmat nuk plotësojnë të gjithë dokumentet dhe të merren me të gjitha burokracitë e nevojshme por plotësojnë vetëm kriteret e nevojshme të rregullave të origjinës,” tha Prof Michael Gasiorek, ekspert tregtar në Universitetin e Sussex.
Kjo analizë tregon se në tremujorin e parë, rreth 27% e tregtisë që mund të kishte hyrë pa tarifa nuk e bëri atë. Në disa sektorë dhe për disa firma, kjo pa dyshim që do të përmirësohet, por pasqyron realitetin që largimi nga BE-ja ka kosto reale për firmat, me implikime afatgjata për tregtinë dhe prodhimin”, tha ai më tej. Të dhënat përfshijnë të gjitha eksportet britanike në BE gjatë muajve janar dhe shkurt, dhe disa kombe raportuese në mars.
Bizneset individuale treguan për BBC, shembujt kur ata kishin paguar miliona paund në tarifa.
Shumica ia atribuojnë këtë marrëveshjeve komplekse për pretendimin e tarifave zero, vështirësive gjatë rieksportit në BE të mallrave të prodhuara në Britani dhe pritshmërisë që disa nga këto tarifa do të mund të rikuperohen në fund. Disa nga shumëkombëshet më të mëdha në botë kanë paguar fatura tarifore që shkojnë deri në me shtatë shifra.
Automjete të rralla
Një mekanik makinash klasike, The Classic Car Mechanic, tregoi fatura tarifore prej qindra paundësh për pjesët e makinave për automjete të rralla të dërguara në Hungari, të cilat nuk mund të vlerësoheshin dhe prandaj u tarifuan nga dogana franceze.
“Na është dashur të paguajmë një tarifë, edhe pse një gjë e tillë nuk duhej që të ndodhte, tha shefi i biznesit, Simon Spurrell.
“E njëjta gjë është për të gjitha dërgesat e tjera, me origjinë nga BE, por ata nuk e pranojnë një gjë të tillë. Ne nuk kemi më fuqi për të luftuar dhe për të kërkuar të drejtat tona, duke qenë se jemi një organizatë e vogël, dhe s’na mbetet gjë tjetër vetëm që të minimizojmë humbjet tona dhe të paguajmë detyrimin”, tha Spurrell.
Observatori i Politikës Tregtare është përpjekur të përcaktojë efektin e barrierave tregtare me BE-në në sektorë të ndryshëm.
Edhe pse eksportet filluan të rikuperohen nga një rënie masive në janar, gjatë tremujorit, Observatori llogariti se, nga sektorët më të prekur, tekstilet shënuan një rënie prej 63%, ushqimi ra me 36%, dhe industria e automobilave me 20%.
Analiza tregoi gjithashtu se në muajt e parë të marrëveshjes, kishte disa ndryshime të dukshme midis kombeve të BE në drejtim të përdorimit të marrëveshjes së tregtisë së lire (pa tarifa) për importet e mallrave britanike. Të dhënat për atë që njihet si “përdorim i preferencës” së eksporteve britanike në Gjermani tregojnë nivele prej 42 për qind në janar dhe 44 për qind gjatë muajit shkurt.
Normat e përdorimit të preferencave (PUR) matin shkallën në të cilën preferencat tarifore të parashikuara nga një marrëveshje e veçantë tregtare po përdoren nga importet dhe eksportet e secilës palë./BBC