Qendra Klinike, pritje me muaj për termine dhe rezultate
Qendra Klinike, pritje me muaj për termine dhe rezultate

Gazetare: Linda Ebibi
Pritje për terminë deri në dy muaj, pritje për rezultate, sorollatje nga njëra klinikë në tjetrën dhe ilaçe shumë të shtrenjta janë ndër ankesat më të shpeshta të qytetarëve. Ata thonë se organizimi i sistemit shëndetësor nuk është në nivelin e duhur.
“Organizimi është i tmerrshëm. Para një muaji u incizova më thanë për pesë ditë rezultatet, por pas 15 ditëve e mora cd-në ndërsa rezultatet sot”, tha një qytetare.
“Hyni atje për të parë se çfarë bëjnë, këmbë për mbi këmbë, telefonin në dorë, ndërsa ne duhet të presim dhe mandej ankohen se kanë paga të ulëta”, tha një qytetar.
“Unë kam pritur dy muaj që të shkoj në ortoped. Ilaçet janë të shtrenjta edhe atë shumë”, tha një qytetar.
“Kam pasur termin në 12:45, erdha në kohë nuk kam pritur. Tani duhet të presë dy javë për rezultatet. Duhet të më lajmërohet mjeku amë nëse janë gati rezultate, nëse nuk janë gati duhet të pres ende. Për barna mos pyesni fare, gjithçka paguaj privat, të ju them të drejtën 6-7 mijë denarë jap për barna”, shtoi një tejtër.
“Tani jam nervoz sepse administrata që është këtu në sportele, duket se janë kryesorët. Unë i pyes për terminë ata më thonë zotëri mos doni pushim vjetor, ku të ju dërgoj…Unë kam ardhur për kontroll jo për pushim vjetor. 07:00 Ne caktojmë terminë dhe përsëri presim”, u shpreh një qytetar.
“Janë shtrenjtë ilaçet. Ampulat për hekur kushtojnë 5-6 mijë denarë”, tha një tjetër.
Për mungesën e terminëve kohë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se po bëjnë presione ndaj mjekëve që të japin më shumë terminë. Ndërsa për pritjet e gjata të pacientëve, ai thoshte se janë pritjet më të pakta në rajon./Alsat.mk