Qeveria neglizhon Odën Ekonomike, nuk e njofton për masat e reja anti-krizë

Qeveria neglizhon Odën Ekonomike, nuk e njofton për masat e reja anti-krizë

Gazetar: Adnan Qaili

Oda Ekonomike pretendon se për pakon e re të masave anti krizë kanë dëgjuar vetëm nga mediat. Ndonëse Qeveria vazhdimisht thotë se janë në koordinim me sektorin e biznesit, deklaratat nga Odat e thonë të kundërtën. Ata theksojnë se nuk e dinë asnjë detaj dhe as nuk janë të informuar se çfarë paketë po harton Qeveria. As kjo e fundit nuk na dha përgjigje pse nuk kanë funksionuar koordinimet. Askush nuk na kërkoi dhe nuk u konsultua me ne për pakon e re të masave, thonë nga Oda Ekonomike.

“Jemi të informuar, të paktën unë nga mediat. Ky është principi që ne si Odë do ta definojmë në kuadër të bashkëpunimit me Qeverinë në pjesën e konsultimeve për masa të caktuara ekonomike që do të ndërmerren ose rregullore që duhet të zbatohen, të cilat aktualisht e tangojnë ekonominë”, tha Jadranka Arizankova – Oda Ekonomike e Maqedonisë.

E përderisa autoritetet e ekzekutivit po punojnë për pakon e masave anti krizë, qytetarët çdo ditë përballen me rritjen e çmimit duke u thelluar akoma më shumë. Ndonëse disa nga përfaqësuesit e qeverisë bënë me dije opinionin se tregtarët janë ata që u bëjnë presion prodhuesve për të rritur çmimet, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim.

Nga Ministria e Financave u paralajmërua që do të ndahen 74 milionë euro shtesë nga buxheti për pakon e nëntë të masave kundër krizës. Se çfarë saktësisht do të përmbajë nuk bëhet e ditur. Por, vazhdimisht theksohet se do të mbështeten kategoritë më të prekura. Ajo që dihet deri më tani është që do të mbështetet kosto e lartë e energjisë elektrike.

“Kjo do të thotë që vazhdojnë subvencionimet për energjinë elektrike për amvisëritë dhe të ngrohjes qendrore në kuadër të EMV-së. Ka mjete të mjaftueshme të ndihmohen edhe kategoritë më të prekura”, njoftojnë nga Ministria e Financave.

Nuk dihet as kur do të hynë në fuqi këto masa. Sa për krahasim, në shtetin fqinj të Serbisë nga e mërkura qytetarët do të mund të blejnë 20 produkte ushqimore dhe higjienike me çmime më të ulëta.
Sipas të dhënave të 2020 të Entit të Statistikave çdo i pesti banor në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht rreth 400 mijë qytetarë jetojnë në varfëri. Me rritjet enorme të çmimeve në dy vitet e fundit kjo shifër është edhe më e lartë, që tregon se çdo i treti person nën moshën 17 vjeçe jeton në varfëri. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button